Në Emergjencën e QKUK-së, 94 intervenime mjekësore

Në Emergjencën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) gjatë 24 orëve të fundit janë paraqitur gjithsej 94 raste, prej të cilave një lëndim me armë zjarri, 6 me mjete piroteknike dhe 17 të aksidentuar.

Lajme

01/01/2015 16:14

Mjeku kujdestar në Emergjencë, Agron Çitaku tha për Kosovapress se asnjë nga rastet e pranuara nuk ka qenë në rrezik për jetë.

“Në 24 orë e fundit në Qendrën Emergjente të  QKUK-së janë pranuar 94 raste, vizita të ndryshme. Prej tyre kanë qenë 17 raste nga aksidentet në trafik, 6 kanë qenë me mjete piroteknike, por me lëndime të lehta trupore, si dhe një rast i plagosjes me armë zjarri, plumb qorr që i thonë. Fatmirësisht, ky person nuk është në rrezik për jetën”, tha ai.

Çitaku shtoi se nga të gjitha rastet e pranuara, dy raste nga aksidentet e komunikacionit janë duke u trajtuar ende në QKUK, derisa të tjerët janë liruar. Fatmirësisht, kremtimi i sivjetmë i Vitit të Ri kaloi pa asnjë viktimë.