Në Bruksel po mbahet Samiti BE-Ballkani Perëndimor
Në Bruksel po zhvillohet Samiti i rregullt BE-Ballkani Perëndimor, ku liderët e vendeve të rajonit dhe të Bashkimit Evropian pritet të konfirmojnë perspektivën evropiane për shtetet e Ballkanit. Në përfundim të takimit, pritet të miratohet një deklaratë e përbashkët që, përveç riafirmimit të integrimit evropian, do t’u bëjë thirrje vendeve të rajonit për zgjidhjen e…
Lajme
Në Bruksel po zhvillohet Samiti i rregullt BE-Ballkani Perëndimor, ku liderët e vendeve të rajonit dhe të Bashkimit Evropian pritet të konfirmojnë perspektivën evropiane për shtetet e Ballkanit.
Në përfundim të takimit, pritet të miratohet një deklaratë e përbashkët që, përveç riafirmimit të integrimit evropian, do t’u bëjë thirrje vendeve të rajonit për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve bilaterale dhe çështjeve të hapura me shtetet anëtare të BE-së.
Në deklaratë, theksi i veçantë pritet të vihet mbi Kosovën dhe Serbinë, të cilave do t’u kërkohet të përparojnë në dialog dhe të zbatojnë marrëveshjet e arritura deri tani në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve.
“Mosmarrëveshjet rajonale dhe dypalëshe, të rrënjosura në të kaluarën, kanë penguar për një kohë të gjatë përqendrimin në të ardhmen,” thuhet në draftin e deklaratës që pritet të miratohet nga liderët në përfundim të Samitit BE-Ballkani Perëndimor. Në deklaratë theksohet gjithashtu domosdoshmëria e zbatimit të të gjitha marrëveshjeve dypalëshe në rajon, si një hap i rëndësishëm drejt stabilitetit dhe bashkëpunimit më të ngushtë.
Kosovën në këtë samit e përfaqëson presidentja Vjosa Osmani.
Duke folur para mediave, para follimit të samitit, Osmani ka thënë se s’mund ta fshehë zhgënjimin se si po trajtohet Kosova nga disa shtete anëtare të BE-së, duke iu referuar mosheqjes së masave ndaj Kosovës.
“Nëse jem e sinqert, jam e zhgënjyer me trajtimin që Kosovës po i bëhet nga disa shtete anëtare të BE-së. Nëse pyetem pse, atëherë qartë arsyeja kryesore është se nuk ka përparim në heqjen e masave ndaj Kosovës. Janë ende në fuqi e siç kemi parë në konkluzat e Këshillit, nuk do të hiqen as në dhjetor. Janë të padrejta e joevropiane. S’ka asgjë evropiane e nuk ka asgjë të bazuar në vlerë, të ndëshkohen njerëzit edhe në projekte si uji i pijshëm. Jam këtu për të falënderuar dy të tretat e shteteve anëtare që përkrahën heqjen e masave e ato tjerat t’i pyesë se çfarë është evropiane të ndëshkosh 1.7 milionë evropianë që jetojnë në Kosovë, në shtetin më pro evropian në botë me 97 për qind që besojnë në rrugën tonë evropiane”, ka thënë presidentja Osmani./rtk