Në Antalia përgatitet ëmbëlsira 633 metra e gjatë

Në festivalin ku morën pjesë edhe rreth 1000 fëmijë nga 54 vende, keku u përfundua për një kohë 1 mujore nga 150 persona.

Fun

14/10/2017 16:50

Në rajonin Kemer në Antalja të Turqisë u zhvillua prova për thyerjen e rekordit të kekut me fruta më të gjatë në botë, raporton Anadolu Agency (AA).

Mjeshtrit e kekut në kuadër të “Rixy Fest” i cili zhvillohet çdo vit tradicionalisht në një hotel me 5 yje në lagjen Tekirova, kanë punuar për provën e thyerjes së rekordit për kekun më të gjatë në botë.

Në festivalin ku morën pjesë edhe rreth 1000 fëmijë nga 54 vende, keku u përfundua për një kohë 1 mujore nga 150 persona. Gjatë bërjes së kekut kanë qenë të pranishëm edhe disa fëmijë me veshje tradicionale nga vende të ndryshme.

Keku me fruta është matur dhe ka rezultuar të jetë 633 metra e 3 cm nga këshilltari i Rekordeve Guinness dhe kreu i departamentit të inxhinierisë minerare në Universitetin Teknik të Stambollit Prof. Dr. Orhan Kural, si dhe nga këshilltari i Rekordeve Guinness, Aydın Türkgücü.

Orhan Kural, në një deklaratë për gazetarët në kuadër të festivalit tha se prova për rekordin është kryer pa problem.

Duke vënë në dukje se dosjet e përgatitura për të regjistruar provën e rekordit do të dërgohen në qendrën e përgjithshme të Guinness, Kural është shprehur “Rekordi i mëparshëm i përkiste Indonezisë me 561 metra. Ndërsa ne këtu kemi bërë një kek 633 metra e 3 cm.”

Projekt me përgjegjësi sociale

Pasi ka bërë të ditur se prova të tilla rekordesh bashkojnë njerëzit Kural tha se “prova e rekordit në të vërtetë është një projekt për përgjegjësi sociale. Është e trishtueshme që ky kek i prodhuar të shkojë në koshin e mbeturinave në një kohë kur në botë ka një konsum të tillë. Për këtë arsye do të sigurojmë që keku i përgatitur t’iu jepet njerëzve në nevojë.”

Ndërsa drejtori i përgjithshëm i hotelit, Faruk Karaca, ka theksuar se ky festival zhvillohet për herë të tretë dhe ka shpjeguar më tej se kekun me fruta do t‘ia shpërndajnë institucioneve për mbrojtjen e fëmijëve dhe njerëzve të tjerë në nevojë.