“Në 31 komuna me 28 kandidatë për kryetarë” – LDK prezanton kandidatët për zgjedhjet lokale

Lidhja Demokratike e Kosovës ka prezantuar zyrtarisht kandidatët e saj për zgjedhjet e ardhshme lokale, duke u shprehur krenare për përfaqësimin që po ofron në këtë garë elektorale. Në një komunikatë për media, LDK njoftoi se do të garojë në gjithsej 31 komuna, me 28 kandidatë për kryetarë komunash dhe 839 kandidatë për asambletë komunale,…

Lajme

13/08/2025 20:32

Lidhja Demokratike e Kosovës ka prezantuar zyrtarisht kandidatët e saj për zgjedhjet e ardhshme lokale, duke u shprehur krenare për përfaqësimin që po ofron në këtë garë elektorale.

Në një komunikatë për media, LDK njoftoi se do të garojë në gjithsej 31 komuna, me 28 kandidatë për kryetarë komunash dhe 839 kandidatë për asambletë komunale, raporton lajmi.net

Sipas partisë, kandidatët që do të përfaqësojnë LDK-në në këtë proces zgjedhor karakterizohen nga integriteti, përvoja dhe vizioni i qartë për zhvillimin lokal.

“Këta kandidatë përfaqësojnë angazhimin e LDK-së për qeverisje të përgjegjshme, transparente dhe në shërbim të qytetarëve, e mbi të gjitha, një vizion që shkon përtej të zakonshmes,” thuhet në deklaratën e partisë.

LDK thekson se synon të ofrojë alternativa konkrete për përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe ndërtimin e komunave me institucione funksionale dhe efikase.

“Ne besojmë në një Kosovë me institucione të forta, ekonomi të zhvilluar dhe jetë më të mirë për çdo qytetar,” thuhet më tej në deklaratë, duke bërë thirrje për bashkim në këtë “rrugëtim për ndryshim dhe zhvillim përtej”.

LDK ka uruar kandidatët e saj për garën që i pret, duke u shprehur e bindur se do të përfaqësojnë me dinjitet qytetarët dhe vlerat që partia përfaqëson./Lajmi.net/