Në 2012-ën asnjë asamblist nuk ia pati ‘prish’ Mustafës ndarjen e truallit të Xhamisë Qendrore

Vendim për caktimin e lokacionit për ndërtimin e objektit të xhamisë në Prishtinë ishte marrë në vitin 2012, kur me Prishtinën menaxhonte, Isa Mustafa. Ndërkaq, Bashkësia Islame e Kosovës, që nga viti 2013 kërkon leje për xhaminë Qendrore në lokacionin e ndarë.

Lajme

27/07/2017 16:27

Në vitin 2012 asnjë nga asamblistët e Prishtinës nuk e kishte mbrojtur idenë e Bashkësisë Islame të Kosovës, që lokacioni për ndërtimin e xhamisë Qendrore në Prishtinë të ndahet në Ulpianë. Pozita e opozita e kishin miratuar në plotni vendimin e kryetarit Isa Mustafa që lokacioni të jetë në një vend të ngushtë në “Dardani” , bri objektit të PTK-së, shkruan lajmi.net.

Për lokacionin, Asambleja e Prishtinës kishte marr vendim më 23.02.2012. Caktimi i lokacionit për ndërtimin e objektit të xhamisë në Prishtinë ka qenë pika e gjashtë e diskutimit në atë mbledhje. Sipas Procesverbalit të kësaj mbledhje të cilin e posedon lajmi.net, për pikën nr. 6 nuk ka pasur debat, ndryshe nga pikat tjera.

Me vetëm një abstenim, asamblistët kishin zgjedhur që të ngrehnin vetëm dorën lartë në propozimin e kryetarit Mustafa. “Me shumicë absolute votash, një abstenim ( Sadri Ramabaja) u miratua Vendimi për caktimin e lokacionit për ndërtimin e objektit të xhamisë në Prishtinë”, thuhet në procesverbalin e mbledhjes së dytë për pikën nr. 6.

Tash, kur stopimi i lejes së ndërtimit është bërë temë debati, zyrtarët e BIK-ut kohë pas kohe po deklarojnë se lokacioni u ishte imponuar dhe se nuk dëshirojnë më të diskutojnë për gjetjen e një lokacioni tjetër, ngase siç janë shprehur ata, janë mbrapa më vite të tëra në këtë plan, dhe se gjë e cila do t’i kthente në pikën zero.

Vetë, kryetari Shpend Ahmeti ka bërë të ditur të martën në një seancë të Kuvendit komunal ku po diskutohej çështja e nderimit të xhamisë se në Komunë ekziston një kërkesë e BIK-ut ku kërkohej që të shqyrtohej mundësia që trualli për objektin fetarë tu ndahet në Ulpianë. Në këtë mbledhje të Kuvendit, BIK e ka prezantuar projektin e xhamisë, ndërkohë që, asamblistët janë pajtuar që ajo të ndërtohet në të njëjtin lokacion, por disa nga ta janë shprehur se vendi i caktuar është shumë i vogël për një projekte të tillë. Në fund Komuna e Prishtinës njoftojë nëpërmjet një komunikate për media se “Asamblistët e Kuvendit Komunal të Prishtinës dhanë mendimet e tyre mbi këtë çështje, duke e  krijuar kësisoj një koncenzus brenda këtij Kuvendi dhe duke e orientuar kështu ekzekutivin për hapat në vazhdim”.

Megjithëkëtë, në Vendimin për caktimin e lokacionit për ndërtimin e objektit të xhamisë të vitit 2012, thuhet se lokacioni për ndërtimin e objektit, sipas pikës I të këtij Vendimi, përfshin pjesët e ngastrave kadastrale nr. 7437/1, 7571, Certifikata e pronësisë, nr. 4137, Zona Kadastrale Prishtinë, Zonë urbane, vendi i quajtur “Blloku III i Ndërtesave”, në sipërfaqe prej 8100 m2, P.SH. Kuvendi Komunal i Prishtinës.

“Destinimi i caktuar i lokacionit, sipas këtij Vendimi, do të inkorporohet në Planin rregullues urban dhe do të harmonizohet me Planin zhvillimor të komunës së Prishtinës. Ky Vendim, paraqet bazë për dhënien e pëlqimit në lokacion, lëshimin e lejes urbanistike dhe lejimin e ndërtimit të objektit investiv, për të cilin është caktuar lokacioni sipas këtij Vendimi”, thuhet në vendim.

Sipas ekstraktit të procesverbalit të mbledhjes së dytë të Kuvendit të Komunës së Prishtinës, mbajtur më 23.2.2012, në mbledhje kanë marr pjesë: Isa Mustafa, kryetar i Komunës, Avdullah Hoti, nënkryetar i Komunës, Sami Hamiti, kryesues i Kuvendit.

Këshilltarët: Hazir Borovci, Shaip Hajrizi, Bekim Gashi, Hetem Kupina, Vjollca Dibra – Ibrahimi, Rrahman Ismajli, Rexhep Mustafa, Avdush Dobratiqi, Premtina Rakovica, Muhamet Nura, Vjollca Rizani, Ajnishahe Azemi, Mustafë Krasniqi, Sarandë Sadriu, Arta Krasniqi, Luan Jusufi, Sali Krasniqi, Tefik Mehmeti, Fetah Salihu, Naime Osmani, Bajram Selimaj, Shefki Uka, Musli Mehaj, Agim Krasniqi, Flamur Shala, Nexhmije Berisha, Aziz Pacolli, Remzi Pacolli, Milazim Vitia, Naim Makolli, Donika Surdulli, Nerxhivane Vitia, Sofije Kllokoqi, Valon Hiseni, Shemsi Veseli, Liridon Restelica, Skënder Reçica, Afërdita Veliu, Besa Halimi – Zagragja, Lumnie Rama, Shefqet Sylejmani, Astrit Hasani, Mejreme Berisha, Shefki Gashi, Besa Rafuna, Kimet Zeqa, Sadri Ramabaja dhe Engin Beyoglu.

Tutje në procesverbal ,thuhet se në mbledhjen e hapi dhe e kryesoi Sami Hamiti, kryesues i Kuvendit. Munguan asamblistët, Meliza Haradinaj dhe Feti Mediu.

Nderkohë, pas debatit dhe polemikave dhe seancës së Kuvendit Komunal të Prishtinës, lidhur më ndërtimin e xhamisë së Madhe në Dardani, pritet tejkalimi i problemeve në mes të BIK e Komunës. /Lajmi.net/