Ndërmarrja “Pastrimi”: Udhëzimet e Përparim Ramës po rrezikojnë funksionimin financiar të ndërmarrjes
Ndërmarrja Publike “Pastrimi” Sh.A. ka reaguar sot ndaj deklaratave të fundit të Kryetarit të Kryeqytetit, Përparim Rama, duke ofruar një sqarim publik lidhur me sfidat financiare dhe menaxhimin e ndërmarrjes. Në reagim thuhet se ndërmarrja vlerëson çdo formë të mbështetjes institucionale që kontribuon në përmirësimin e kushteve të punës dhe funksionimin e qëndrueshëm të shërbimeve…

Lajme
Ndërmarrja Publike “Pastrimi” Sh.A. ka reaguar sot ndaj deklaratave të fundit të Kryetarit të Kryeqytetit, Përparim Rama, duke ofruar një sqarim publik lidhur me sfidat financiare dhe menaxhimin e ndërmarrjes.
Në reagim thuhet se ndërmarrja vlerëson çdo formë të mbështetjes institucionale që kontribuon në përmirësimin e kushteve të punës dhe funksionimin e qëndrueshëm të shërbimeve për qytetarët, por theksohet se gjendja aktuale financiare është e ndikuar drejtpërdrejt nga moszbatimi i Rregullores për menaxhimin e mbeturinave, e miratuar nga Kuvendi Komunal i Prishtinës.
“Në kundërshtim me këtë rregullore, qytetarët janë udhëzuar publikisht të bëjnë pagesat jo në kompaninë ‘Pastrimi’, por në llogari të Komunës, çka ka pamundësuar arkëtimin e të hyrave të nevojshme për funksionim që nga janari 2025”, thuhet në komunikatë. Si rezultat, borxhet e papaguara kanë arritur në 2.7 milionë euro.
Sipas ndërmarrjes, më 2 maj 2025, Kryeshefi Ekzekutiv i “Pastrimi” Sh.A. i është drejtuar zyrtarisht Kryetarit të Komunës me kërkesë për zbatim të rregullores, duke përfshirë në komunikim edhe institucionet kompetente, në përpjekje për një zgjidhje institucionale.
Përsa i përket akuzave ndaj menaxhimit të brendshëm, ndërmarrja thotë se është vlerësuar me opinion të pamodifikuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit, që sipas saj përfaqëson vlerësimin më të lartë të mundshëm sipas standardeve ndërkombëtare. Pasqyrat financiare për vitin 2024 tregojnë se kompania është rikthyer nga një bilanc negativ prej -1.5 milionë euro në një operim me 5% fitim bruto.
“Pastrimi” Sh.A. thekson se këto të dhëna janë publike dhe të qasshme për çdo qytetar apo institucion të interesuar, ndërkohë që borxhi i akumuluar për shkak të moszbatimit të rregullores nga Komuna ka penguar realizimin e një pjese të obligimeve.
Në fund, ndërmarrja bën thirrje për bashkëpunim institucional, respektim të vendimeve të Kuvendit Komunal dhe mbështetje të ndërmarrjeve publike, si pjesë thelbësore e ofrimit të shërbimeve me integritet për qytetarët.