Ndarja nga vetëvetja

Fadil Vokrri ishte njëri ndër burrat e fundit që na ka lidhë me veten. Ndërsa ne tash e sa vjet po mundohemi të ikim prej vetes, prej identitetit tonë.  

Opinion

18/06/2018 10:11

Në rastet e vdekjes së një njeriu, rëndom thuhet: Ai u nda prej nesh. Dhe ne, pastaj, ndahemi prej tij. Realisht, ndarja e jonë prej të vdekurit nisë që në momentin kur ai më nuk jeton. Ajo vazhdon pastaj në varreza. Nëse ka qenë njeri i mirë, që ka lënë shumë kujtime prapa vetes, shumë vepra dhe fjalë të mira, mbase, nuk ka kurrë ndarje të mirëfilltë. Ky konstatim është qind për qind i saktë kur flasim për Fadil Vokrrin.

Megjithatë, është një fenomen tjetër që realisht u kuptua edhe të dielen e shkuar, kur ia dhamë lamtumirën e mbramë Fadil Vokrrit: Kjo është dukuria e ndarjes nga vetëvetja. Sepse Vokrri ka qenë njëri ndër personalitetet e fundit të dhjetëra viteve të mbrama, që na ka lidhë me veten. Ai ka qenë njëri prej atyre burrave që me peshën e vet, ka kontribuar në krijimin dhe mbajtjen e një graviteti kombëtar, që na lidhë për këtë tokë, për këtë vend, për historinë dhe të tashmen.

Ndarja jonë nga vetëvetja ka nisë, çuditërisht  (sa të duash), që prej se vetja jonë u bë e lirë, pas përfundimit të një shekulli të robërisë. Dhe ajo është zhvilluar, ka ngjarë, ka rrjedhë, kudo dhe kurdo. Përditë e më shumë. Në të gjitha fushat e jetës.

Ajo është bërë duke i dobësuar, madje, edhe duke degraduar dhe zhbërë shumicën e elementeve që kanë bërë identitetin tonë, si shqiptarë të Kosovës. Edhe në kohërat më të vështira të rrnesës  (jetesës sonë), në Kosovë, kur ka qenë e rrezikuar vetë mbijetesa jonë individuale dhe kolektive, kur jeta dhe vdekja e kanë përcjellë njëra-tjetrën për çdo ditë, ne e kemi ditur çka jemi, pse jemi, dhe çka duhet të bëjmë. Kjo veçmas erdhi në shprehje në dekadën më të rëndë të robërisë, në vitet e nëntëdhjeta, kur Serbia, pushteti i saj, pos tjerash, synonte të na poshtëronte dhe të na shfaroste. Nuk kishte megjithatë kush në këtë Botë që do të ndikonte që ne të heqim dorë nga identiteti jonë kombëtar dhe qytetërues. Nga toleranca politike dhe fetare në mes nesh. Nga lidhja me Evropën dhe me Amerikën. Nga këmbëngulja që me çdo kusht të bëhemi të lirë dhe ta bëjmë shtetin.

Pas luftës, nisëm t’i kontestojmë, në të gjitha mënyrat e mundshme këto vlera. Në realitet, një kierarki vlerash tradicionale, të cilat përbënin atë vetën tonë, atë identitetin tonë, e mëdyshëm dhe thuaja e rrëzuam për toke, duke i zëvëndësuar ato me vlerat vetë-rrënuese që mohojnë veten tonë, këtë popull, këtë vend, këtë shtet.

Tash nuk kemi më vertikale të vlerave. Në asnjë fushë të vetme. Të mos mashtrohemi.

Tash kemi një rrafsh horizontal të vlerave. Kushdo dhe kurdo pretendon që është vlerë.

Në këtë kontekst, Fadil Vokrri është njëri prej atyre shembujve të fundit të asaj vertikale të vlerave.

Në orët e para pas vdekjes së Fadil Vokrrit, midis tjerash, për te u shkrua dhe u tha që ka qenë futbollisti më i mirë shqiptar i të gjitha kohëve, burrë i jashtëzakonshëm, njeri i madh, legjendë e mirëfilltë, etj. Por ne këto fjalë dhe këto epitete i  përdorim kudo, edhe për vdekjet dhe për njerëzit që janë një gjithësi a një univers larg tyre.

Ne i kemi devalvuar aq shumë këto fjalë, saqë ato nuk dukeshin të denja për Fadil Vokrrin. Ne i kemi dëmtuar dhe i kemi kontaminuar të gjithë cilësorët e mundshëm, të gjithë epitetët e mundshme, prandaj, nëse jemi për pak kohë të sinqertë me veten, gati që mbesim pa fjalë në përshkrimin e raportit tonë me një burr të madh të Kosovës, çfarë ka qenë Fadil Vokrri. Pra, me degradimin e madh të vlerave që kemi bërë, ne nuk kemi terminologji adekuate, përshkrim adekuat, për ta krijuar relacionin tonë si shoqëri me vdekjen e Fadil Vokrrit. Sepse ne nuk kem terminologji adekuate, tek e mbrama, për ta përshkruar raportin tonë me vetëveten.

Sidoqoftë, secili që e ka njohur Fadil Vokrrin, e ai me sjelljet dhe veprimet e tij, ka bërë që të gjithë ta njohin si duhet atë, qoftë edhe nëse kurrë në jetë nuk e kanë parë dhe nuk kanë biseduar me te, e ka pasë shumë vështirë të mos i mbushen sytë me lotë të shtunën e kaluar, kur lajmi për vdekjen e tij pushtoi Kosovën. Tash e sa vjet, ky duket që ishte fenomen i llojit të veçantë. Ne qyshmoti, lotët dhe dhimbjet i kemi vetëm për vete, janë të thuash, pronë private, që i dedikohen vetëm familjes sonë, të afërmëve tonë, shokëve tonë. Nuk ka më kush lotë këndejpari për çështjen e madhe, për këtë vend, për Kosovën. Krejt ndryshe ka qenë në vitet e nëntëdhjeta: Kosova na i pati marrë të gjithë lotët, të gjithë dimbjen, të gjithë preokupimin. Ajo ishte mbi të gjithë ne. Apo, të gjithë ne ishim për te. Natyrisht, ky përshkrim, shikuar nga perspektiva e jonë e sotme, duket tej mase patetik. I mërzitshëm madje. Por ja që ka qenë plotësisht i vërtetë. Këtë e dimë të gjithë ne që kemi qenë këndejpari në vitet e nëntëdhjeta.

Fati i jonë dhe fati i Kosovës përputheshin qind për qind. Nuk kishim më fat privat. Zgjedhje private. Përkushtim privat. Gjithçka ishte ndryshe. Robëria na bëri të gjithëve një para pushtuesit, në kundërshtimin e tij, në synimin për tu bërë të lirë.

Fadil Vokrri nuk mund të zëvendësohet. Asnjëherë. Dhe nuk ka fjalë dot që i rri ndershëm dhimbjes që ne e kemi për te.

Dhe kjo dhimbje për te është njëra prej vlerave të mbrama që na lidhë me atë Kosovën e dikurshme që është në zhdukje e sipër.