Ndahen çmimet për gazetari hulumtuese, fitojnë Koha Ditore, Zëri e BIRN

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, me mbështetje financiare nga GIZ-CDBE, ndau çmimet për Gazetari Hulumtuese në Arsim 2014. Çmimi i parë u ka takuar tre gazetarëve të gazetës Koha Ditore. 

Lajme

20/10/2014 15:44

Në këtë konkurs ku kanë konkurruar 56 aplikues, juria ka vendosur që çmimin e parë, në vlerë prej 2500 euro ta ndajë për tre gazetarë që kishin konkurruar me shkrime të ndryshme.

Ai është fituar nga gazetari i Kohës Ditore, Besnik Krasniqi me shkrimin “Profesorët mashtrues të UP-së”, Salie Gajtani nga Koha Ditore me shkrimin “MASHT-i bënë projekt për mesazhe telefonike në kurriz të prindërve”, dhe nga gazetari Vehbi Kajtazi, po nga e njëjta gazetë, me shkrimin “Mujë Rugova punësoi Esat Belajn dhe Gazmend Maliqin”.

Ndërsa me çmimin e dytë është shpërblyer gazetarja Una Hajdari, e cila shkrimin “Sistemi i çakorduar arsimor i minoriteteve”, e kishte botuar në gazetën Zëri.

Çmimi i tretë i ka takuar Merita Krasniqit nga BIRN, për shkrimin “Njerëzit me ndikim fitojnë bursat e shtetit”. (lajmi.net)