NBA: Suns vazhdojnë me formën e lartë, Warriors e ‘çmontojnë’ Bulls

NBA ka vazhduar me ndeshje interesante në mesjavë.

Sport

15/01/2022 08:22

Phoenix Suns kanë vazhduar me formën superiore të tyre në këtë edicion pasi kanë arritur fitoren e radhës, duke e mposhtur skuadrën e Indiana Pacers me rezultat 112-94.

Më i dalluari në këtë duel ishte i zakonshmi, Devin Booker i cili realizoi plot 35 pikë në po aq minuta të luajtura, duke shtuar edhe katër kërcime dhe tre asistime, duke u ndjekur nga Deandre Ayton i cili realizoi 27 pikë e 12 kërcime në 27 minuta të luajtura.

Suns tani kanë një bilanc të 32 fitoreve dhe nëntë humbjeve në 41 ndeshje të zhvillura këtë sezon.

Ndërkohë Golden State është rikthyer tek fitorja pas humbjes ndaj Bucks, duke e mposhtur me një epërsi të lartë skuadrën e Chicago Bulls me rezultat 138-96.

Koshashënuesi më i mirë i ndeshjes ishte anëtari i Warriors, Jonathan Kuminga i cili realizoi 25 pikë në 26 minuta të luajtura, duke shtuar edhe tre kërcime e tre asistime. Curry realizoi 19 pikë.

Warriors kanë një bilanc të 31 fitoreve dhe 11 humbjeve në 42 ndeshje, duke u renditur e dyta në tabelën e Konferencës Perëndimore, pas Suns. /Lajmi.net/