NATO, prandaj jam

NATO, 22 vite më parë ka mposhtur çdo pamundësi të artikulimit të lirisë – si një koncept abstrakt. Ndërhyrja e vitit 1999, që rezultoi me parandalimin e një katastrofe humanitare, me ndaljen e vrasjeve, dhunimit, gjenocidit dhe spastrimit etnik në Kosovë ka bërë që liria si koncept të ketë një imazh në të cilin reflektohet në tërësinë e saj – NATO-n. 

Opinion

01/03/2022 14:34

Shkruan: Nehat Sadiku

NATO, prandaj jam

Paradigma karteziane e themelimit të subjektit kontemplativ në filozofi shumë lehtë mund të transponohet në argumentimin e themelimit të shtetit të Kosovës mbi bazamentin e lirisë. Lufta e fundit në Kosovë bëri që shumë njerëz të përjetojnë trajtime çnjerëzore – duke filluar nga vrasjet, dhunimet, masakrat, gjenocidin – që si synim të fundëm e kishin spastrimin etnik dhe asgjësimin e një identiteti të vjetër në Ballkanin Perëndimor. Synimi i Serbisë në këtë luftë ishte i qartë dhe prodhonte dhunën e kudondodhshme nën sintagmën famëkeqe “Shqiptari i mirë, është shqiptar i vdekur”.

Synimet për spastrim etnik dhe zhdukje të identitetit – që nisur nga konsekuencat e errëta të akteve barbare mund edhe të quhen krim kundër njerëzimit – po rriteshin dhe po kultivoheshin në masë të madhe nga Serbia e viteve të 90-ta dhe kështu, çdo ditë po ashpërsohej dhuna ndaj shqiptarëve të Kosovës. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po parandalonte një përshpejtim të arritjes së synimeve, ndërsa rezistenca bënte që dhuna serbe të intensifikohej dhe të bëhej më agresive. Kjo nuk iku pa u parë!

Imazhet e masakrave të kryera nga regjimi i Slobodan Millosheviqit në Kosovë zunë vend edhe në ballinat e mediave kryesore ndërkombëtare. Dhuna po ashpërsohej, numri i viktimave po rritej, ndërsa kuptimi i lirisë për popullin e Kosovës sa shkonte e turbullohej deri në venitje. Populli i Kosovës ishte në skajin e ekzistencës së saj. Ndërhyrja e NATO-s në këto momente kufitare të ekzistencës për shqiptarët e Kosovës ishte vendimtare – thënë ndryshe – kjo ndërhyrje ishte në mbrojtje të së drejtës për të ekzistuar.

Liria i paraprinë ekzistencës, sepse ekzistenca është akt i lirisë. Kështu, ndërhyrja e NATO-s nuk ishte as më pak e as më shumë se ndërhyrje në mbrojtje të lirisë si parakusht i ekzistencës dhe ekzistencës si manifestim fin i lirisë. Zhurma e aeroplanëve dhe bombardimeve të NATO-s është muzika më e bukur që ka dëgjuar populli i Kosovës në historinë e vet – ato zhurma janë tingulli i lirisë, të mishëruara njëherë e përgjithmonë në të drejtën për të qenë. Tani, është mëse e qartë – sintagma përkufizuese e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë ndoshta më së miri do të thuhej nëse transponojmë paradigmën karteziane – ‘NATO, prandaj jam!’

NATO’s children

Sot në vitin 2022, fëmijët e lindur gjatë viteve të luftës së fundit në Kosovë i kanë mbushur të njëzetat – dhe kur shikon gjithë ato fytyra që sot gëzojnë të drejtën e lirisë njëlloj si të gjithë popujt e botës demokratike, ndjenja që të kaplon është e papërshkrueshme, sepse me këtë shikim, secili nga ne përjeton një ekskursion nëpër kushtet që i kanë paraprirë kësaj lirie, mespërmes kushteve që e kanë bërë të mundur këtë.

Ndonëse këta fëmijë e kanë përjetuar lirinë në fillimin e saj – shumë e shumë gjenerata të tjera e kanë përjetuar lirinë në mungesën e saj – ndoshta edhe më tej, në mungesën e shpresës së liria do të vijë. Përjetimi i tyre është ende më i rëndë, më i mundimshëm, më i dhimbshëm, më i gjatë – por gjasmë edhe më i bukur, edhe më madhështor. Ata ishin dëshmitarë të suspendimit të lirisë, të kërcënimit të ekzistencës dhe gati, të humbjes së shpresës – ata ishin në pritje të mrekullisë – ‘waiting for the miracle’.

Fëmijët e lindur në vitet e luftës në Kosovë sot janë inxhinierë, mjekë, farmacistë, profesorë, sportistë, avokatë e madje edhe deputetë të cilët përfaqësojnë popullin e tyre të lirë dhe demokratik. Ata sot gëzojnë lirinë e pakusht të fjalës, lëvizjes, zgjedhjeve, gëzojnë barazinë e mundësive dhe më kryesorja – ajo që është më fundamentale – ata sot gëzojnë të drejtën e ekzistencës. Por kjo e drejtë e ekzistencës reflektohet vetëm në imazhin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, që i dha mundësi të drejtës për të ekzistuar dhe me shumë të drejtë – këto gjenerata dhe jo vetëm – meritojnë dhe duhet të ndjehen të mrekulluar të quhen ‘fëmijët e NATO-s’.

Kosovo In NATO

Pushtimi dhe agresioni rus në Ukrainë ka prodhuar një situatë të re në botë dhe kjo situatë e re ka prodhuar domosdoshmërinë e pozicionimit. Zgjedhja është e thjesht; në njërën anë Perëndimi me vlera të lirisë, barazisë e demokracisë dhe në anën tjetër Rusia me autokracinë dhe politikat e saj shkatërruese. Kosova e ka bërë zgjedhjen e saj, e cila përtej politike, është konsekuencë organike e funksionimit të brendshëm – e kushteve të saj të ekzistencës dhe synimeve të përhershme. Kosova ka zgjedhur Perëndimin, bashkë më lirinë dhe demokracinë – si shumica e vendeve të botës me shoqëri demokratike.

Fare pak shtete në botë mbajnë anën e Rusisë, por ndër këto pak shtete është edhe Serbia. Autoritetet serbe refuzuan të vendosin sanksione ndaj Rusisë siç bënë të gjitha vendet evropiane, pavarësisht nëse janë ose jo pjesë e Bashkimit Evropian. Madje, përtej kësaj, serbët as nuk e dënuan agresionin e Rusisë mbi Ukrainën – për më tepër, në rrjetet sociale shumë serbë dolën hapur në përkrahje të veprimeve të paprecedent të Rusisë mbi një shtet të pavarur. Kjo do të thotë shumë!

22 vite pas lirisë dhe 14 vite pas pavarësisë, Kosova dhe Serbia vazhdojnë ende dialogun. Serbia vazhdon t’i mohojë krimet dhe gjenocidin e dokumentuar, ndërsa Kosova është e gatshme të dialogojë me Serbinë, në favor të stabilitetit të vet të brendshëm dhe të jashtëm. Veprimet e Serbisë janë të njohura për ata që kanë vesh e sy, sikur edhe ato të Kosovës. Serbia ditëve të fundit sillet si të ishte krahinë e Rusisë dhe jo një shtet me synime evropiane. Kjo gjithashtu prodhon një mesazh: Serbia nuk është evropiane!

Serbia jo-evropiane është rrezik për stabilitetin në rajon dhe kjo pasqyrohet më së miri në shembullin e Rusisë – shtetit amë të Serbisë. Andaj, është e nevojshme që në rajon të krijohet një fuqi tjetër stabilizuese – një fuqi paqedashëse dhe që nuk jeton përbrenda një regjimi autokratik të drejtuar kah lindja. Kjo mundësi e lirisë është Kosova! Kosova që dikur vuante mungesën e lirisë, sot është e gatshme të sigurojë lirinë! Fëmijët e NATO-s janë rritur dhe ata e njohin kushtin e ekzistencës së tyre, prandaj, Kosovo In NATO!

Autori është studiues i Filozofisë dhe Redaktor Përgjegjës në portalin lajmi.net.