Natë pa dhunë në Ferguson

Presidenti amerikan, Barack Obama, ka dënuar plagosjen e dy policëve gjatë protestës së fundit në qytetin Ferguson të Misurit, pavarësisht se ankesat e protestuesve, sipas tij, ishin legjitime. Ai ka thënë se plagosja e dy personave vetëm se kishin të veshura uniformat e policisë nuk ka asnjë justifikim.

Bota

13/03/2015 09:48

“Unë mendoj se protestat në Ferguson kanë qenë të arsyeshme, mirëpo kushdo që ka gjuajtur në policë, të cilët vëzhgonin protestuesit përskaj rrugës, janë kriminelë që duhet të dalin para drejtësisë”, ka thënë presidenti Obama, i shqetësuar për situatën në Ferguson.

Që prej muajit gusht të vitit të kaluar, kur Darrell Wilson, një polic i bardhë qëlloi për vdekje adoleshentin zezak, Michael Brown, gjatë një konfrontimi në rrugë, në Ferguson ka pasur protesta dhe tensione të vazhdueshme.

Protesta e fundit u mbajt disa orë pasi shefi i policisë në Ferguson, Thomas Jackson, dha dorëheqjen pas publikimit të një raporti të Departamentit të Drejtësisë, ku akuzohet policia për diskriminim raciale.

Policia po përpiqet të identifikojnë personat përgjegjës për goditjen me armë zjarri të dy oficerëve të saj në Ferguson, kur protestuesit po largoheshin nga një demonstratë pranë stacionit të policisë.

Protestë në këtë qytet ka pasur edhe gjatë natës së mbrëmshme, mirëpo ajo ka kaluar e qetë dhe pa ndonjë incident, njofton BBC, raporton lajmi.net.