Napoli mposht Milanin, rikthehet në garën për titull

Napoli ka marrë një fitore me peshë ndaj Milan me rezultat 1-0, duke ringjallur shpresat për mbrojtjen e titullit në Serie A. Heroi i ndeshjes ka qenë Matteo Politano, i cili e ka shënuar golin vendimtar në fund të takimit, vetëm pak minuta pasi është futur në lojë si zëvendësues. Pjesa e parë ka qenë e qetë dhe me…

Sport

06/04/2026 23:56

Napoli ka marrë një fitore me peshë ndaj Milan me rezultat 1-0, duke ringjallur shpresat për mbrojtjen e titullit në Serie A.

Heroi i ndeshjes ka qenë Matteo Politano, i cili e ka shënuar golin vendimtar në fund të takimit, vetëm pak minuta pasi është futur në lojë si zëvendësues.

Pjesa e parë ka qenë e qetë dhe me pak raste, ku të dy skuadrat janë treguar të kujdesshme, duke e ditur rëndësinë e kësaj përballje në garën për kreun. Rasti më i mirë ka ardhur nga Napoli, por goditja e Leonardo Spinazzola ka kaluar shumë pranë portës, ndërsa portieri i Milan, Mike Maignan, ka mbetur në vend.

Në pjesën e dytë, Napoli e ka rritur presionin dhe ka krijuar më shumë raste, duke e detyruar Milan të mbrohej. Portieri Maignan ka bërë disa ndërhyrje të mira, ndërsa skuadra mysafire ka pasur vështirësi të krijojë rrezik serioz.

Fati i ndeshjes është zgjidhur në minutat e fundit, kur Politano ka përfituar nga një gabim në mbrojtjen e Milan dhe ka realizuar për 1-0.

Vetëm pas golit, Milan ka reaguar dhe ka tentuar të barazojë, por përpjekjet e Rafael Leao dhe Santiago Gimenez nuk kanë sjellë rezultat.

Me këtë fitore, Napoli regjistron suksesin e pestë radhazi në kampionat dhe afrohet në shtatë pikë me liderin Inter, duke mbajtur gjallë shpresat për titull.

Nga ana tjetër, Milani humb një mundësi të madhe për të bërë diferencën dhe regjistron vetëm humbjen e dytë si mysafir këtë sezon.