“Nanë, t’lutem ni pikë ujë”, kjo është legjenda e trishtë e Bjeshkëve të Nemuna

Në valën e dëbimeve, kur refugjatët iknin maleve apo fshiheshin shpellave që të mos i rrihte era, shqota e shiu, më kujtohej legjenda për emrin e Bjeshkëve të Namuna.

Fun

15/11/2019 10:16

Legjenda thotë se një nënë me dy fëmijë, (burrin ia vranë ushtarët turq), mori rrugën drejt Bjeshkëve të Nalta sipër Rrafshit të Dukagjinit. Me fëmijët për dore, ajo nuk u kujtua për sende të tjera, pasi koha nuk priste, sepse ushtarët e armikut mund t’i kapnin.

E frikësuar nga ndjekësit dhe e pikëlluar për vrasjen e burrit, gruaja e dy fëmijët tashmë jetimë, kthente vështrimin nga fshati, ku dukej shtëpia e saj, e cila po digjej nga flakët.

E pikëlluar, asaj iu nxinë sytë nga mungesa e ujit. Sa më shumë që ecte, aq më shumë bjeshkët lartësoheshin; sa më shumë përpiqej i shmangej diellit, masa e zjarrtë bëhej më e pamëshirshme, skuqte e digjte si saç. Dhe ata ecnin e ecnin, sa më larg ushtarëve turq.

Dielli i korrikut vazhdonte t’i përvëlonte, etja i kishte molisur si nënë e fëmijë. Vijat e ujit në këtë kohë, në të dy krahët sipër burimit të Drinit shterojnë dhe bora që dikur rrinte deri në fund të gushtit, për dreq, atë ditë korriku kur u duhej fëmijëve të nënës së ve, kishte shkrirë në luginat më të fshehura nga dielli përvëlues.

“Nanë, du ujë”, kërkonte më ngulm djali i vogël, sepse urinë e harruan nga vapa e madhe e lodhja akoma më e madhe.

Po ujë s’kishte askund. “Nanë, t’lutem ni pikë ujë”, e përgjëronte vogëlushi, pa e kuptuar se kjo gjë nuk ishte në vullnetin e nënës së gjorë. S’gjendej askund një pikë uji sa t’ua njomte buzët e përthara. Nëna e hutuar përpiqej ta ngushëllonte të voglin më fjalë kurse i madhi nuk nxirrte zë, megjithëse shkrumbi i buzëve iu bë një pëllëmbë mbi buzë, thotë legjenda.

“Tash e gjajmë ujit, drita e syve të mi, edhe pak. Gurrat e Bardha nuk janë larg”, përpiqej t’i jepte zemër nëna e shkrumbuar nga vapa e pikëllimi. Kaluan Gurrat e Bardha, por uji nuk rridhte askund dhe u ngjitën në Malit të Thatë.

Kopetë e deleve dhe barinjtë, ishin zhdukur si t’i kishte përpirë toka a ngrënë ujku dhe asnjë këmbanë nuk jehonte në tërë Bjeshkët e Nalta, siç quheshin dikur. S’kishte asnjë njeri të gjallë mbi faqen e dheut.

Fëmijët u lodhën, buzët iu bënë shkrumb, forcat iu shteruan e nuk mund të flisnin nga etja e nga lodhja, prandaj nisën të përpëliten dhe flisnin përçart. Nënën e mbërtheu kulmi i dëshpërimit.

Lotët nuk i rridhnin që t’ua njomte buzët, shihte e dëshpëruar se si fëmijët po i shuheshin para syve. Por, para se fëmijët t’i kapte agonia, para se të ndodhte gjëma, ajo mallkoi në kulm të zemërimit: “Hej, moj bjeshkë, kurrë mos paçi ujë! Flaka u daltë! U shitoftë reja!”.

Dhe ra shakull në tokë mbi kalamajtë që po kalonin çastet e fundit të agonisë.

Legjenda nuk e thotë ç’u bë më nënën e dy fëmijët. Nuk e thotë as a vdiqën apo i shpëtoi mrekullia, por legjenda vazhdon sikur qielli u mëshirua me fatkeqët që përpëliteshin në agoni. Dielli u fsheh prapa reve që nisën të qanin më ngashërim, duke lëshuar një shi të rrëmbyeshëm që vërshoi bjeshkëve.

Të tjerët prapë duke iu referuar legjendës thonë se mallkimi i nënës i zuri të gjitha bjeshkët sipër Dukagjinit, në të dy anët e Drinit të Bardhë. Bjeshkët e Namuna u dogjën nga zjarri i mallkimit, reja shkreptin ndonjëherë në qiell të kthjellët duke djegur pyje të tëra.

Gur mbi gur nuk mbetën, thotë legjenda. Të mbërthen angështia, kur i shikon mijëra hektarë të djegur, brinjë të bjeshkës që dalin në sipërfaqe, gërxha që shkëlqejnë në diell.

Mallkimi i ndjek këto bjeshkë edhe sot: zjarret përsëriten çdo vjet, në të njëjtën kohë, në të njëjtin rrugëtim të nënës: sa herë nisin të këndellen bimësia e filizat e hollë, bie një rrufe dhe i djegë filizat e bredhave e të çetinave.

Megjithatë në Bjeshkët e Namuna, më thoshte gjyshja, është një mur, shkëmb i skalitur, ku shihet nëna me dy kalamajtë, me bohçe e me kovë uji. Barinjtë, kur kalojnë pranë shkëmbit, derdhin një curril uji, që t’ua njomin buzët nënës e fëmijëve.

Një motërzim serb shumë më i vonshëm, ka një legjendë tjetër për mallkimin e Bjeshkëve të Namuna. Sipas kësaj legjende, kur ushtria serbe, pasi pësoi disfatë nga malësorët e Rugovës e burrave të Dukagjinit, duke ngjitur Bjeshkët,

dielli i pamëshirshëm i dërmoi përfundimisht. Ushtria e shkalafitur serbe, që i kishte zënë gjaku i të pafajshmeve, ranë shakull në gërxhe. Legjenda e tyre, e sajuar nga kronistët ushtarakë, thotë se gjenerali i tyre tha: “Qofsh e mallkuar!” (prokleta da si). Në gjuhën e tyre “Prokletije”, do me thënë “të mallkuarat”.

Në hartat gjeografike mbi pesëdhjetë vjet ishin të shënuara të dy emërtimet.