Nagelsmann tregon që ka pranuar 450 kërcënime me vdekje, pas eliminimit nga Villarreal
Trajneri i Bayern Munich, Julian Nagelsmann ka treguar që ai ka pranuar mbi 400 kërcënime me vdekje në “Instagramin” e tij, pas eliminimit të skuadrës së tij nga Villarreali në Ligën e Kampionëve.

Sport
Gjiganti gjerman barazoi 1:1 me Villarrealin në ndeshjen e kthimit, ndërsa në rezultat të përgjithshëm 2:1, skuadra e Unai Emeryt u kualifikua tutje për në gjysmëfinale.
Në një konferencë për media para ndeshjes në Bundesligën kundër Arminia Bielefeld, trajneri Nagelsmann tregoi që kishte pranuar kërcënime të shumta me vdekje pas eliminimit të Bayernit nga Liga e Kampionëve.
“E di që do të marrë gjithmonë kritika nga të gjitha anët, kjo është gjë normale dhe unë mund të përballem me to. Por me 450 kërcënime me vdekje në ‘Instagram’, kjo nuk është e lehtë”, tha Nagelsmann, transmeton lajmi.net.
“Nëse njerëzit dëshirojnë që të më vrasin mua, ajo është një gjë, por ata gjithashtu sulmuan edhe nënën time, të cilës nuk i intereson për futboll”, shtoi më tej trajneri i Bayernit.
Momentalisht, Bayern Munich janë në vendin e parë në tabelë me 69 pikë, nëntë më shumë se vendi i dytë, Borussia Dortmund.
Ndërsa të dielën do ta zhvillojë ndeshjen e radhës si mysafirë i skuadrës së Arminia Bielefeldit, me fillim nga ora 15:30./Lajmi.net/