“Mustafa do të mbahet në mend më shumë për fyerje se sa për punën në vitin 2016”

Viti 2016 është vlerësuar i rëndë për kryeministrin Mustafa. Ai gjatë vitit të kaluar është përballur me kundërshtime të mëdha të partive opozitare dhe pjesëtarë të shoqërisë civile.

Lajme

04/01/2017 11:31

Por, Mustafa nga posti i kryeministrit shpeshherë ka zgjedhur gjuhën fyese  e ofenduese, kryesisht me anë të rrjetit social Facebook, për t’iu kundërpërgjigjur të gjithë atyre që e kundërshtonin.

Gjuha e përdorur nga Mustafa është kritikuar shumë nga njohës të marrëdhënieve me publikun dhe analistë politikë, shkruan lajmi.net.

Ligjëruesi i lëndës Marrëdhënie me Publikun në degën e Gazetarisë në Universitetit e Prishtinës , Jeton Mehmeti ka thënë se gjuha e kryeministrit e përdorur në facebook, ndaj kundërshtarëve të tij është qasje e gabuar.

“Gjuha fyese e përdorur nga Kryeministri Mustafa në postimet e tij në Facebook ndaj atyre që kritikojnë vendimet e tij, është një qasje e gabuar. Në të njëjtin profil ku ai flet në emër të të gjithë kabinetit qeveritarë, ai herë pas here etiketon kundërshtarët e tij me një gjuhë të pa zakontë prej një kryeministri”, ka thënë Mehmeti për lajmi.net.

Ai ka thënë se politikanët kosovarë duhet dallojnë  gjuhën që përdorin gjatë fushatës politike dhe atë gjatë ushtrimit të funksioneve publike, në veçanti atë të kryeministrit.

“Është e kuptueshme që gjatë fushatës zgjedhore diskursi në rrjetet sociale të jetë më i drejtpërdrejtë dhe më i ashpër kundrejt konkurrentëve. Kjo mund të arsyetohet sepse mesazhi duhet të jetë më unikë për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik, e cila më pas ndikon në imazh dhe pastaj përkthehet në vota. Por, duhet pasur kujdes kur flitet nga pozita e përfaqësuesit të shtetit, e sidomos kur komunikimi bëhet përmes rrjeteve sociale të cilat krijojnë iluzionin se një postim ka më pak peshë së një fjalë e thënë përmes medieve tradicionale”, ka vlerësuar ligjëruesi universitar Jeton Mehmeti.

‘Gjahë’ i Mustafës ishin disa nga figurat kryesore të partive opozitare, por ai sulmoi edhe shoqërinë civile, madje edhe disa gra.

I ashpër u tregua më deputetin e Vetëvendosjes, Albin Kurti të cilin e  quajti gomar të ‘Zajednicës’ “Të drejtohet nga unë UKSHI se e ka humbur rrugën”,  kishte shkruar Mustafa për Kurtin.

Përveç kundërshtarëve politikë, kryeministri  i cili ka edhe titullin akademik, u mor edhe me gratë që udhëheqin OJQ.

“… janë disa gra që i kanë kullotë të gjitha fondet e mundshme nga perëndimi, e mos po i braktisin burrat  e tyre e po shkojnë në Kore të Veriut (sepse as Kuba nuk i pranon), apo disa OJQ-ista nacionalist, mos po turren nga Lindja”, ishte postimi i Mustafës në Facebook.

Fatkeqësi e quan analisti Imer Mushkolaj faktin se, kryeministri Mustafa më shumë do të mbahet në mend për gjuha e tij fyese  si dhe të pranueshme për postin që mbanë,  se për punën që ka bërë si kryeministër.

Ai vlerëson se gjuha e përdorur nga Mustafa tejkalon çdo nivel të komunikimit publik të një politikani.

“Në mungesë të argumenteve ai gjatë gjithë kohës ka zgjedhur që kundërshtarët  e tij politikë mirëpo edhe kritikët  t’i quaj me shprehjet më të papranueshme duke i krahasuar edhe më kafshë , për shkak se ka konsideruar se ata i kanë faj për dështimet e tij, sidomos  sa i përket  liberalizimit të vizave dhe premtimeve, që ai ka dhënë gjatë fushatës zgjedhore dhe pas  ardhjes  në krye të Qeverisë”, ka thënë Mushkolaj për lajmi.net.

Ai thotë së Mustafa edhe pse ka qenë pjesë e sistemin komunistë dhe është formuar nga ai sistem, gjuha e përdorur nga ai, më shumë ka të bëjë më kulturën e tij si individë se sa  nga ndikimi i sistemit në të. Këtë ai e argumenton më faktin se ka edhe bashkëpunëtor   të tjerë të Mustafës nga ajo kohë, madje edhe më të vjetër në moshë, por që nuk kanë përdoru një gjuhë të tillë./Lajmi.net/