Mustafa: Qeveria e Unitetit, vështirë e arritshme – Institucionet politike kanë ngulfatë funksionimin e shtetit

Ish kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka komentuar propozimin e LDK-së, për formimin e një Qeverie të Unitetit. Mustafa tha se e përkrahë idenë fillestare të LDK-së, për një qeveri të tranzicionit, ku një qeveri kalimtare deri në pranverën që vjen do të krijontë kushte për zgjidhjen e kësaj situate. “Unë e kam përkrahur idenë…

Lajme

14/06/2025 14:27

Ish kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka komentuar propozimin e LDK-së, për formimin e një Qeverie të Unitetit.

Mustafa tha se e përkrahë idenë fillestare të LDK-së, për një qeveri të tranzicionit, ku një qeveri kalimtare deri në pranverën që vjen do të krijontë kushte për zgjidhjen e kësaj situate.

“Unë e kam përkrahur idenë fillestare të LDK-së për një qeveri të tranzicionit. Një qeveri kalimtare deri në pranverën e vitit që vjen do të krijonte kushte, ashtu siç unë e mendoj, të vendosen zgjidhet që s’mund ti bëjë asnjë subjekt vet apo në koalicion me vota të pamjaftueshme për çështje të mëdha”, tha ai.

Ndër të tjera, Mustafa ka propozuar disa pika kyçe për një qeveri kalimtare, përfshirë krijimin e një platforme të përbashkët për dialogun me Serbinë, që do të respektohej nga çdo qeveri pasuese.

Ai gjithashtu ka theksuar rëndësinë e rivendosjes së marrëdhënieve me SHBA-në dhe arritjen e një zgjidhjeje për heqjen e sanksioneve nga Bashkimi Evropian.Një tjetër prioritet për Mustafën është edhe nxitja e zhvillimit të sektorit privat të ekonomisë.

“– Të krijohet platformë e përbashkët për dialogun me Serbinë, të cilën do ta respektonte çdo pushtet që pason;– të rivendosen marrëdhëniet me SHBA-në dhe të gjindet zgjidhje për heqjen e sanksioneve nga BE; si dhe

– të ndërmirren politika nxitëse ndaj zhvillimit të sektorit privat të ekonomisë”, është shprehur ai.Në lidhje me mundësinë e krijimit të një Qeverie të Unitetit, Mustafa ka thënë se ky proces do të kërkonte një program politik që do të sublimojë interesat e veçanta të çdo subjekti, gjë të cilën e konsideron të vështirë për t’u realizuar, duke pasur parasysh moskomunikimin dhe tensionet ndërmjet partive.

“Nëse pretendohet qeveri e unitetit, pastaj do duhej që edhe programi politik qeveritar të sublimojë interesa të veçanta të çdo subjekti, që konsideroj se duke parë moskomunikimin ndërmjet partive kjo është vështirë e arritshme” theksoi ai.

Një tjetër çështje që Mustafa ka përmendur është vetingu në drejtësi. Ai ka sugjeruar se nëse do të krijohej një proces vetingu, ky duhet të ishte një veting për politikanët dhe institucionet politike.

Sipas tij, politikanët janë ata që kanë bllokuar funksionimin e shtetit, dhe jo sistemet e drejtësisë. Mustafa ka theksuar se, për të realizuar një shtet funksional, duhet një “veting popullor”, ku qytetarët vendosin përmes votës nëse dëshirojnë një shtet normal.

“Nëse kjo qeveri e unitetit do të pretendonte vetingun në drejtësi, atëherë vetingun do duhej t’ia bënte vetëvetes, institucioneve politike, sepse ato e kanë ngulfatë funksionimin e shtetit e jo drejtësia. As gjyqësia, as prokuroris dhe as policia si segment i drejtësisë. Pra duhet një veting që e bënë populli përmes votës, nëse ky popull dëshiron shtet normal”, përfundoi ai për GazetaBlic.