Mustafa për marrëveshjen e Washingtonit: Jo veç që u kritikua nga Osmani e VV-ja atëkohë, por Hotin e margjinalizuan nga LDK-ja

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka akuzuar presidenten Vjosa Osmani dhe Lëvizjen Vetëvendosje për hipokrizi lidhur me Marrëveshjen e Uashingtonit, të arritur më 2020 nën ndërmjetësimin e administratës presidentit amerikan Donald Trump. Mustafa tha se Osmani dhe Vetëvendosja, në të kaluarën, e kishin kundërshtuar ashpër këtë marrëveshje duke e cilësuar si “kundër rendit kushtetues”, dhe…

Lajme

15/07/2025 15:19

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka akuzuar presidenten Vjosa Osmani dhe Lëvizjen Vetëvendosje për hipokrizi lidhur me Marrëveshjen e Uashingtonit, të arritur më 2020 nën ndërmjetësimin e administratës presidentit amerikan Donald Trump.

Mustafa tha se Osmani dhe Vetëvendosja, në të kaluarën, e kishin kundërshtuar ashpër këtë marrëveshje duke e cilësuar si “kundër rendit kushtetues”, dhe pikërisht mbi këtë bazë kishin ndërtuar fushatën politike që i solli në pushtet.

“Presidenti Trump në vitin 2020, përmes përfaqësuesit të tij special, Richard Grenel, arriti ti ul përfaqësuesit më të lartë shtetëror të Serbisë dhe të Kosovës në Zyrën Ovale në Shtëpinë e Bardhë, takim ky që rezultoi me një marrëveshje shumë të dobishme për të dy shtetet. Zonja Osmani ka kundërshtuar këtë marrëveshje dhe mbi bazën e këtyre kundërshtimeve ka ardhur në pushtet së bashku me z. Kurti”, tha Mustafa.

Mustafa theksoi se sot, kur Donald Trump është rikthyer fuqishëm në skenën politike amerikane, të njëjtët aktorë politikë në Kosovë po përpiqen ta paraqesin sikur kanë zbatuar marrëveshjen.

“Atëherë mendohej se Trump iku, se nuk kthehet, e tani kur u kthye shumë i fortë, mundohen ta mashtrojnë se e kanë implementuar marrëveshjen dhe të bëhen altoparlantë të gabuar të tij”, tha ai.

Ai shtoi gjithashtu se nënshkruesi i marrëveshjes, Avdullah Hoti – i cili ishte kryeministër në atë kohë është përballur me sulme dhe kritika të ashpra, jo vetëm nga Vetëvendosje dhe Osmani, por është margjinalizuar edhe brenda partisë së tij, LDK.

“Të gjithë ata që kanë bashkëpunuar me Trumpin dhe përfaqësuesit e tij janë eliminuar nga skena politike në Kosovë. Dihet, po ashtu, botërisht se marrëveshja nuk është zbatuar në asnjë pikë. Se Kryeministri i atëhershëm Avdullah Hoti, si nënshkrues i saj është sulmuar dhe kritikuar, për fat të keq jo vetëm nga VV dhe znj. Osmani por është margjinalizuar edhe nga partia e tij”, tha Mustafa për Nacionale.

Në Kosovë kjo marrëveshje e nënshkruar nga Hoti ishte e debatuar dhe u kundërshtua nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Vjosa Osmani, të cilët e konsideruan të dëmshme dhe joligjore. Kritikët e saj e akuzuan qeverinë e Hotit për mungesë transparence dhe për faktin se marrëveshja nuk u debatua në Kuvendin e Kosovës./Lajmi.net/