Mustafa merr vendim për shtyrjen e afateve për leje dhe licenca në bujqësi dhe pylltari

15:10 | 23 Mars 2020

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa ka marrë vendim për shtyrjen e përkohshme të afateve procedurale për marrjen dhe vazhdimin e lejeve dhe licencave për zbatimin e legjislacionit primar dhe sekondar në fuqi që ndërlidhen me fushën e hortikulturës, produkteve për mbrojtjen e bimëve, plehrave, farërave, blegtorisë, pylltarisë, verëtarisë dhe shërbimeve këshilluese për bujqësi.

Siç thuhet në njoftim, ky vendim ka për qëllim mbrojtjen e të drejtave të parashtruesve të kërkesave, pas marrjes së masave për parandalimin e pandemisë COVID-19 dhe shpalljes së emergjencës për shëndetin publik nga Qeveria e Kosovës.

Pikat e vendimit:

1. Shtyhen përkohësisht afatet procedurale për marrjen dhe vazhdimin e lejeve dhe licencave për zbatimin e legjislacionit primar dhe sekondar në fuqi që ndërlidhen me fushën e Hortikulturës, Produkteve për Mbrojtjen e Bimëve, Plehrave, Mbrojtjes së Bimëve, Farërave, Blegtorisë, Pylltarisë, Verëtarisë dhe Shërbimeve Këshilluese për Bujqësi.

2. Shtyrja e përkohshme e afateve nga pika 1 i këtij vendimi bëhet me qëllim të mbrojtjes të të drejtave të parashtruesve të kërkesave, pas marrjes së masave për parandalim të pandemisë së Coronavirusit COVID-19 dhe shpalljes së emergjencës për shëndetin publik nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

3. Shtyrja nga pika 1 dhe 2 të këtij vendimi vlen nga dita e nxjerrjes së Vendimit nr.01/07, datë 11.03.2020 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, deri në marrjen e një vendimi tjetër.

4. Obligohen të gjithë zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për zbatimin e këtij vendimi.

5. Zyrtarët nga pika 4 e këtij vendimi, të cilët nuk e zbatojnë këtë vendim do të ndëshkohen në pajtim me legjislacionin në fuqi.

6. Vendimi hyn në fuqi ditën e nënshkrimit. /Lajmi.net/