Mustafa merr pjesë në samitin e liderëve djathtistë të BE-së

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, po merr pjesë sot në punimet e Samitit të kryetarëve të shteteve dhe të qeverive të Bashkimit Evropian, pjesëtarë të grupit të Partive Popullore Evropiane (EPP), që po zhvillohet në Bruksel.

Lajme

25/06/2015 14:10

Kryetarët e shteteve, të Qeverive dhe liderët e opozitës, anëtarë të Partisë Popullore Evropiane (EPP), së bashku me kryetarët e Këshillit Evropian dhe Komisionit Evropian, Donald Tusk dhe Jean-Claude Juncker, do të marrin pjesë në këtë Samit të EPP-së, i cili zhvillohet në Bruksel. Në rendin e ditës do të jetë përgatitja e Këshillit Evropian, i cili do të mbahet më 25 dhe 26 qershor.

Sipas një komunikate për media, bëhet e ditur se presidenti i EPP-së, Joseph Daul do të udhëheq punimet e këtij Samiti, ndërsa aty do të jenë edhe kryetari i Grupit Parlamentar i EPP-së në Parlamentin Evropian, Manfred Ëeber, sekretari i përgjithshëm i EPP-së, Antonio López-Isturiz dhe anëtarët e Kryesisë të EPP-së.

Krahas kryeministrit Mustafa, në Samitin e zgjeruar të grupit më të madh të partive në Parlamentin Evropian do të jenë të pranishëm edhe liderët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, si kancelarja gjermane Angela Merkel, Mariano Rajoy, Viktor Orban, Nicolas Sarkozy dhe krerë të tjerë të partive të djathta evropiane.

“Kryeministri Isa Mustafa do të zhvillojë takime bilaterale me kryeministrat dhe liderët e partive të djathta evropiane, të cilët do t’i informoj me zhvillimet e fundit në Kosovë. Kryeministri Mustafa gjithashtu do të shfrytëzoj edhe këtë mundësi për të kërkuar nga homologët e tij përshpejtimin e procedurave për liberalizimin e vizave me qëllim që qytetarët e Kosovës sa më shpejt të kenë mundësinë e qarkullimit të lirë në BE:, sqarohet në komunikatë.

Samiti i kryetarëve të shteteve dhe të qeverive të Bashkimit Evropian

Gjithashtu, bëhet e ditur se Kryeministri Mustafa do t’i informoj të pranishmit me planin qeveritar te Qeverisë Mustafa si dhe do të flet për zhvillimet në fushën e ekonomisë dhe angazhimet e Qeverisë në zhvillimin e kësaj fushe jetike për të ardhmen e vendit.

Isa Mustafa