Mustafa: LDK zgjedh opozitën para VV-së, në Qeveri hymë vetëm nëse e udhëheqim atë

Anëtari i kryesisë së LDK-së, Besian Mustafa ka thënë se partia e tij është e gatshme të bashkëpunojë për formimin e Qeverisë vetëm nëse ka postin e kryeministrit dhe mund ta udhëheqë atë qeveri. “LDK në këto rrethana do të jetë në Qeveri nëse ka postin e kryeministrit dhe nëse e udhëheq atë Qeverinë, do…

Lajme

10/04/2025 08:36

Anëtari i kryesisë së LDK-së, Besian Mustafa ka thënë se partia e tij është e gatshme të bashkëpunojë për formimin e Qeverisë vetëm nëse ka postin e kryeministrit dhe mund ta udhëheqë atë qeveri.

“LDK në këto rrethana do të jetë në Qeveri nëse ka postin e kryeministrit dhe nëse e udhëheq atë Qeverinë, do të insistojmë në platformën e dytë që të kemi një stabilitet për zgjedhjen e presidentit”, tha Mustafa.

Ai ka shprehur qëndrimin e LDK-së kundër mundësisë së bashkëpunimit me Vetëvendosjen (VV), duke shtuar se LDK preferon opozitën.

“Mes një qeverie jo stabile dhe opozitës do të zgjedhim opozitën. Si është e mundur të jemi me VV-në kur nuk i shkojmë as në takim. Nuk e ndryshojmë mendimin tonë”, tha Mustafa.
Anëtari i LDK-së tutje u shpreh se partia e tij dhe LVV kanë shumë dallime. Sipas tij, këto dallime janë edhe arsyeja se pse LDK-ja i tha jo takimit me VV-në.

“Letra i është drejtuar kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut. Ai gjithmonë konsultohet me të tjerët para se të merr vendime”, tha ndër tjera Mustafa.

Ai shtoi se refuzimi i LDK-së për takim me Kurtin ka të bëjë edhe me gjuhën e përdorur gjatë fushatës.

“LDK ka një histori, pajtohem që rezultati i kësaj Qeverie është situata në të cilën gjendet Kosova dhe u pajtova se janë shtresuar arsyet e përgjigjes së LDK-së ndaj VV-së, letra ka të bëjë edhe me gjuhën. Nuk ka çështje frike, po ka çështje të mendimeve për të ardhmen e Kosovës për të kaluarën dhe për të ardhmen që nuk dëshirojmë të jemi pjesë e qeverisë me VV-në”, tha Mustafa.

Mustafa nuk e mohoi se ka pasur tentime për ”peshkimin” e deputetëve të LDK-së, por kjo gjë nuk ka rezultuar pozitivisht.

“Mund të tentojë, por jo suksesshëm. Gjithë atyre që ju është lakuar emri kanë deklaruar publikisht që kjo nuk qëndron. Nuk mund ta mohoj se ka pasur tentime për peshkim por pa sukses pa përgjigje pozitive”, tha Mustafa, në RTV21.

Tutje Mustafa ka theksuar se, përkundër sjelljeve të partive të tjera karshi LDK-së, partia e tij ka gjetur gjithmonë mënyra për të krijuar ura për koalicion, por, sipas tij ka përfunduar gjithmonë me një humbje votash.

“Ajo se çka i ka ndodhur historikisht LDK-së se për kundër sjelljeve të partive tjera karshi LDK-së LDK gjithnjë ka gjetur formulën për të ndërtuar një urë për koalicion, por gjithmonë është përgjysmuar në vota”, tha Mustafa.