Mustafa garanton Mogherinin: LDK-ja e voton demarkacionin (Video)
Kryeministri në largim i Kosovës, Isa Mustafa, u prit në takim nga përfaqësuesja e lartë e BE-së për punë të jashtme dhe politika të sigurisë, njëherësh zëvendëspresidente e KE-së, Federica Mogherini.
Lajme
Pas takimit, Mustafa ka treguar para gazetarëve se me Mogherinin ka biseduar për bashkëpunimin e deritanishëm, por edhe për çështjet të cilat i presin edhe Kosovën edhe për bashkëpunim me Bashkimin Evropian.
“Shpreha përkushtimin e Kosovës për perspektivën evropiane dhe se ne, pa marrë parasysh se kemi hyrë në procesin e zgjedhjeve, do të ndjekim rrugën që na qon në perspektivë evropiane”, ka thënë Mustafa.
Kryeministri në largim ka thënë se Kosova mbetet e përkushtuar për bashkëpunimin rajonal dhe për avancimin e raporteve me vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Biseduam edhe për nevojën e vazhdimësisë duke pas parasysh se janë iniciuar dhe jemi në proces të disa vendime që janë të rëndësisë themelore, siç janë ato të demarkacionit, asociacionit dhe për dialogun”, ka thënë Mustafa.
“Me këtë rast unë ndava qëndrimin që e përfaqësoj tani në krye të LDK-së, se ne do të mbesim të përkushtuar në këto procese dhe se kandidati ynë për kryeministër, po ashtu, mbetet i përkushtuar që këto procese t’i çojë përpara me Bashkimin Evropian”, është shprehur ai.
“Vlerësojmë se nuk kemi rrugë tjetër, duhet që qytetarëve t’iu sigurojmë liberalizimin e vizave edhe po ashtu duhet t’i implementojmë marrëveshjet që i kemi arritur”, ka thënë Mustafa.
Mustafa, me ftesë të Mogherinit do të marrë pjesë në darkën që shtrohet sot për liderët e Ballkanit Perëndimor në Bruksel, ku do të diskutohet për gjendjen aktuale, perspektivën, si dhe avancimin e rrugës eurointegruese të vendeve të Ballkanit Perëndimor.