Musliu-Shoshi: Strategjia për Hagën është dashur të bëhet që nga viti 2021

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ariana Musliu-Shoshi, e ka vlerësuar si hap pozitiv themelimin e Grupit Punues për hartimin e strategjisë shtetërore për qasjen ndaj Dhomave të Specializuara në Hagë, por ka theksuar se ky veprim është dashur të ndërmerret shumë më herët. Ajo tha për FrontOnline se  Kosova është dashur të ketë…

Lajme

20/10/2026 09:52

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ariana Musliu-Shoshi, e ka vlerësuar si hap pozitiv themelimin e Grupit Punues për hartimin e strategjisë shtetërore për qasjen ndaj Dhomave të Specializuara në Hagë, por ka theksuar se ky veprim është dashur të ndërmerret shumë më herët.

Ajo tha për FrontOnline se  Kosova është dashur të ketë një strategji shtetërore për këtë çështje që nga viti 2021.

Megjithatë, ajo ka shprehur shpresën që strategjia e re të mos mbetet vetëm në letër, por të konkretizohet përmes angazhimit juridik, diplomatik dhe institucional në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Themelimin e Grupit Punues e vlerësoj si hap pozitiv, por shumë të vonuar. Kosova është dashur të ketë një strategji shtetërore për qasjen ndaj Dhomave të Specializuara që nga viti 2021. Sidoqoftë, shpresoj që kjo strategji të mos mbetet vetëm në letër, por të sjellë angazhim konkret juridik, diplomatik dhe institucional në mbështetje të çlirimtarëve tanë”, tha Musliu-Shoshi.

Musliu-Shoshi e konsideron Gjykatën Speciale politike dhe vlerëson se ajo ka cenuar parimet themelore të drejtësisë. Ajo thotë  se institucionet e Kosovës kanë përgjegjësi të mbrojnë të vërtetën historike, sakrificën e popullit dhe të drejtën e Kosovës për liri.Deputetja e PDK-së ka nënvizuar se synimi përfundimtar i kësaj strategjie duhet të jetë vendosja e drejtësisë, mbrojtja e së vërtetës historike dhe lirimi i ish-krerëve të UÇK-së.

“Përballë një gjykate që e konsideroj politike dhe që ka cenuar parimet themelore të drejtësisë, kemi përgjegjësi ta mbrojmë të vërtetën tonë historike, sakrificën e popullit tonë dhe të drejtën tonë për të jetuar të lirë. Qëllimi përfundimtar duhet të jetë drejtësia, mbrojtja e së vërtetës historike dhe lirimi i çlirimtarëve tanë!”, përfundon deputetja e PDK-së.