Musliu-Shoshi: Dialogu nuk mund të udhëhiqet nga njerëz pa legjitimitet politik
Takimi i radhës në Bruksel ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë është mbyllur pa ndonjë rezultat konkret, duke vazhduar prirjen e bisedimeve të pasuksesshme. Sikur edhe herëve të tjera, palët vetëm kanë akuzuar njëra-tjetrën për mungesë të gatishmërisë për të zbatuar ato pikat e marrëveshjes që i shohin të rëndësishme. Lidhur me këtë, deputetja nga…

Lajme
Takimi i radhës në Bruksel ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë është mbyllur pa ndonjë rezultat konkret, duke vazhduar prirjen e bisedimeve të pasuksesshme.
Sikur edhe herëve të tjera, palët vetëm kanë akuzuar njëra-tjetrën për mungesë të gatishmërisë për të zbatuar ato pikat e marrëveshjes që i shohin të rëndësishme.
Lidhur me këtë, deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ariana Musliu-Shoshi, ka shprehur shqetësimin për mënyrën se si po udhëhiqet procesi i dialogut nga pala kosovare.
“Mendoj që e ardhmja e Kosovës nuk mund të negociohet nga njerëz pa legjitimitet politik. Emërimi i Besnik Bislimit për të përfaqësuar vendin në dialog është i gabuar dhe i dëmshëm, sepse ai nuk ka as besimin e qytetarëve dhe as autoritetin që kërkon ky proces.”
Deputetja Musliu-Shoshi vlerëson se përfaqësimi në dialog duhet të reflektojë legjitimitetin demokratik dhe seriozitetin shtetëror të Kosovës.
“Dialogu me Serbinë është çështje shtetërore dhe kërkon përfaqësim serioz, të bazuar në vullnetin e popullit dhe institucionet e dala nga zgjedhjet. Çdo tentim për ta udhëhequr këtë proces me improvizime individuale e dobëson pozitën e Kosovës dhe e komprometon rrugën tonë drejt BE-së e NATO-s!”, ka theksuar tutje Musliu- Shoshi.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka nisur në vitin 2011 dhe synon normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Megjithatë, procesi ka qenë i karakterizuar nga vonesa, moszbatim të marrëveshjeve dhe mungesë konsensusi politik, veçanërisht në Kosovë.