Musliu: Serbia po përdor rrjetin MTS për të destabilizuar Kosovën

Eksperti i sigurisë, Agim Musliu thotë se Serbia po përdor rrjetin MTS për të destabilizuar Kosovën. Musliu përmes një postimi në Facebook ka shkruar se kërcënimi për shpërthim të bombës në Kuvendin e Kosovës është rast i një fushate të vazhdueshme të luftës hibride që Serbia ushtron ndaj Kosovës përmes kërcënimeve dhe mbështetjes së strukturave…

Lajme

06/07/2025 18:36

Eksperti i sigurisë, Agim Musliu thotë se Serbia po përdor rrjetin MTS për të destabilizuar Kosovën.

Musliu përmes një postimi në Facebook ka shkruar se kërcënimi për shpërthim të bombës në Kuvendin e Kosovës është rast i një fushate të vazhdueshme të luftës hibride që Serbia ushtron ndaj Kosovës përmes kërcënimeve dhe mbështetjes së strukturave kriminale, shkruan KosovaPress.

Ai thotë se operatori MTS ka detyrimin ligjor që t’i bartë të dhënat e kërkuara institucioneve të sigurisë së Kosovës.

“Ky rast është pjesë e një fushate të vazhdueshme të luftës hibride që Serbia ushtron ndaj Kosovës përmes kërcënimeve dhe mbështetjes së strukturave kriminale. Operatori MTS, që funksionon në Kosovë në bazë të një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga BE-ja, ka detyrimin ligjor që t’i bartë të dhënat e kërkuara institucioneve të sigurisë së Kosovës, por në praktikë ka refuzuar bashkëpunimin. Në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, MTS ka fshirë të dhëna të rëndësishme që mund të ndihmonin në zbardhjen e ngjarjes”, ka shkruar Musliu.

Postimi i plotë:

Kërcënimi për bombë ndaj Kuvendit të Kosovës – i dërguar nga territori i Serbisë përmes rrjetit MTS

Më 5 korrik 2025, Kuvendi i Republikës së Kosovës u përball me një kërcënim për vendosje bombe, i dërguar nga territori i Serbisë përmes një numri të rrjetit serb MTS. Hetimet e shpejta të institucioneve të sigurisë zbuluan se numri ishte i regjistruar në emër të shtetasit serb Lazar Živković, i cili në platformat online shpërndan përmbajtje ekstremiste, përfshirë edhe glorifikimin e kriminelit të luftës Ratko Mladić. Edhe pse pas verifikimeve rezultoi se bomba nuk ishte reale, vetë kërcënimi ndaj institucionit më të lartë të shtetit përbën një akt destabilizues me motive të qarta politike.

Ky rast është pjesë e një fushate të vazhdueshme të luftës hibride që Serbia ushtron ndaj Kosovës përmes kërcënimeve dhe mbështetjes së strukturave kriminale. Operatori MTS, që funksionon në Kosovë në bazë të një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga BE-ja, ka detyrimin ligjor që t’i bartë të dhënat e kërkuara institucioneve të sigurisë së Kosovës, por në praktikë ka refuzuar bashkëpunimin. Në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, MTS ka fshirë të dhëna të rëndësishme që mund të ndihmonin në zbardhjen e ngjarjes. Për më tepër, janë raportuar raste të rritjes së kapaciteteve të frekuencës në mënyrë të paligjshme. Në këtë situatë, është e nevojshme që institucionet përkatëse të ndërmarrin masa konkrete, të rivlerësojnë zbatimin e marrëveshjes për telekomunikim dhe të sigurojnë që çdo operator të veprojë në përputhje të plotë me rendin kushtetues dhe ligjor të Republikës së Kosovës.