Musa: Ligji për Specialen nuk synon t’i shpallë të pafajshëm krerët e UÇK-së, por të garantojë gjykim më të drejtë

Avokati i akredituar nga Gjykata Speciale në Hagë, Skënder Musa ka folur lidhur me ndikimin e kalimit në Kuvend të Projektligjit për Specialën. Sipas tij, Gjykata Kushtetuese nuk mund ta rrëzojë atë, për shkak të një dispozite specifike të përfshirë në ligj. “Gjykata Kushtetuese nuk besoj se mund ta rrëzojë këtë projektligj, për shkak se…

Lajme

09/10/2026 09:13

Avokati i akredituar nga Gjykata Speciale në Hagë, Skënder Musa ka folur lidhur me ndikimin e kalimit në Kuvend të Projektligjit për Specialën.

Sipas tij, Gjykata Kushtetuese nuk mund ta rrëzojë atë, për shkak të një dispozite specifike të përfshirë në ligj.

“Gjykata Kushtetuese nuk besoj se mund ta rrëzojë këtë projektligj, për shkak se një nga dispozitat e ligjit thotë se ky ligj nuk i nënshtrohet Dhomave të Specializuara, Gjykatës Kushtetuese”, ka deklaruar Musa.

Sipas tij, ligji nuk synon t’i shpallë të pafajshëm ish-krerët e UÇK-së, por vendos dispozita që mund të garantojnë një proces më të drejtë gjyqësor.

“Për ndikimin tek ish-krerët, ligji nuk pretendon që i shpall të pafajshëm, por i ka vendosur disa dispozita që garantojnë gjykim të drejtë. Në seancë gjyqësore asnjë ligj nuk mund të ndikojë tek ndihmesa e të akuzuarit, por në Apel duhet të paraqesin prova shfajësuese dhe duhet të kërkohet udhëzimi se ku janë të bazuara ato prova”, tha ai për FrontOnline

Musa ka shprehur gjithashtu kritika ndaj mënyrës se si janë zhvilluar deri më tani procedurat në Gjykatën Speciale.

“Në përgjithësi në Kosovë, qytetarët dhe juristët kanë një bindje që Gjykata në shkallë të parë nuk i zbaton dispozitat ligjore pa dalë jashtë juridiksionit të saj dhe ka qenë jo-neutrale, në një anshme, ku të gjithë janë dënuar dhe asnjë kërkesë e avokatëve mbrojtës apo ankesë nuk është aprovuar. Është e pamundur kjo”, u shpreh Musa.

Ai përmendi edhe rastet kur të akuzuarve nuk u është mundësuar pjesëmarrja në ngjarje familjare.

“As kur kanë qenë prindërit të sëmurë apo kanë vdekur, nuk i kanë lënë të marrin pjesë. Këto tregojnë se ka vepruar në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe sistemin juridik të Kosovës”, deklaroi ai.

Musa thotë se nuk pret që ligji i ri të sjellë ndryshime të jashtëzakonshme, ndonëse beson se mund të kontribuojë në vendosjen e standardeve më të mira.

“Do të arrijë me siguruar një standard më të mirë, por nuk pres ndonjë mrekulli nga ky ligj. Mbetet të shihet në të ardhmen”, tha ai.