PS miraton reformën territoriale me 85 vota pro
Kuvendi ka miratuar me 85 vota reformën e re administrativo-territoriale, duke i hapur rrugë hartës së re që redukton numrin e bashkive në Shqipëri nga 61 në 46. Për miratimin e reformës kërkoheshin pikërisht 84 vota. Drafti i Partisë Socialiste parashikon shkrirjen e 15 bashkive me njësi të tjera vendore, raporton Euronewsalbania. Votimi u zhvillua…
Lajme
Kuvendi ka miratuar me 85 vota reformën e re administrativo-territoriale, duke i hapur rrugë hartës së re që redukton numrin e bashkive në Shqipëri nga 61 në 46.
Për miratimin e reformës kërkoheshin pikërisht 84 vota. Drafti i Partisë Socialiste parashikon shkrirjen e 15 bashkive me njësi të tjera vendore, raporton Euronewsalbania.
Votimi u zhvillua pas një seance maratonë, të shoqëruar gjatë gjithë ditës me debate të forta mes mazhorancës dhe opozitës për hartën e re territoriale. Në momentin e votimit, deputetët e PD-së tentuan të bllokonin procesin, duke kërkuar nga drejtuesi i seancës që votimi të mos zhvillohej.
Pro projektligjit të kundërshtuar fort nga opozita votoi edhe deputeti socialist Erion Braçe, i cili kishte kundërshtuar publikisht hartën e re territoriale në disa fjalime të tij.
Pas përfundimit të seancës, ai tha se vijonte të ishte kundër reformës dhe se do ta shpjegonte votën e tij ditën e premte.
Debatet për reformën territoriale dhe projektligjet e tjera zgjatën rreth 14 orë. Kryeministri Edi Rama nuk mori pjesë në debat, por ishte i pranishëm në momentin e votimit të projektligjit. Në momentin që nisi procesi i votimit, deputetë të tjerë të opozitës hodhën shishe uji dhe sende të forta në drejtim të kreut të qeverisë.
Bashkitë që shkrihen:
- Fushë-Arrëz
- Klos
- Rrogozhinë
- Dimal
- Poliçan
- Patos
- Divjakë
- Selenicë
- Maliq
- Këlcyrë
- Memaliaj
- Libohovë
- Cërrik
- Belsh
- Prrenjas
Ligji i miratuar për ndarjen territoriale sjell një sërë ndryshimesh kryesore.
Numri i bashkive ulet nga 61 në 46, ndërsa 12 qarqet mbeten të pandryshuara. 15 bashki humbasin statusin e bashkisë më vete: Fushë-Arrëz, Klos, Rrogozhinë, Dimal, Poliçan, Patos, Divjakë, Selenicë, Maliq, Këlcyrë, Memaliaj, Libohovë, Cërrik, Belsh dhe Prrenjas. Territoret e tyre përfshihen në bashkitë ekzistuese.
Harta e re zbatohet në zgjedhjet vendore të vitit 2027. Deri në konstituimin e organeve të reja, kryetarët dhe këshillat bashkiakë në detyrë vazhdojnë të ushtrojnë kompetencat brenda kufijve aktualë.
Ndryshon edhe organizimi i brendshëm i disa bashkive. Në tabelat përkatëse shtohen qytetet Kastrat, Bushat, Ulëz, Milot, Martanesh dhe Golem. Në Kurbin, emërtimi i qytetit “Kurbin” zëvendësohet me “Laç”. Këto ndryshime nuk krijojnë bashki të reja.
Parashikohen rregullime teknike të hartave të Vorës dhe Kamzës. Qeveria duhet të miratojë detajimin teknik të kufijve të njësive vendore brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e ligjit.
Ligji i ri vendos kufizime për ndryshimet e ardhshme të njësive përbërëse të bashkive. Ato kërkojnë konsultim publik, vendim të këshillit bashkiak dhe miratim përfundimtar nga qeveria; nuk mund të bëhen më shpesh se një herë në dhjetë vjet. Propozimi dhe miratimi i këtyre ndryshimeve ndalohen një vit para zgjedhjeve qendrore dhe vendore.