Murati ua mori mjetet vetanake komunave – Kuvendi ua riktheu atyre

Kuvendi i Kosovës me 81 vota për, asnjë kundër, dhe asnjë abstenim ka miratuar Ligjin mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Kosovës për këtë vit. Me këtë vendim të legjislativit kosovar, mjetet e pezulluara të komunave të viteve paraprake, u janë kthyer atyre, shkruan lajmi.net. Komunat nëpërmjet Asociacionit të Komunave si mekanizëm i tyre vazhdimisht…

Lajme

08/06/2023 18:37

Kuvendi i Kosovës me 81 vota për, asnjë kundër, dhe asnjë abstenim ka miratuar Ligjin mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Kosovës për këtë vit.

Me këtë vendim të legjislativit kosovar, mjetet e pezulluara të komunave të viteve paraprake, u janë kthyer atyre, shkruan lajmi.net.

Komunat nëpërmjet Asociacionit të Komunave si mekanizëm i tyre vazhdimisht i kanë kërkuar këto mjete.

Dhjetëra miliona euro, komunat e vendit pretendojnë se u janë bllokuar nga qeveria, ndërsa nga tani e tutje ato më nuk e kanë këtë ‘gajle’.

Vlen të theksohet se këto ishin të hyra vetanake që komunat i kanë mbledhur para vitit fiskal 2022.

Më e prekura nga këto mjete të pezulluara ishte komuna e Prishtinës me rreth 29 milionë euro.

Muajin e kaluar shefi i Qeverisë kishte takuar kryetarët e komunave, ku këto të fundit i ishin ankuar atij për mjetet e pezulluara.

Sazan Ibrahimi nga Asociacini i Komunave të Kosovës kishte thënë se këto mjete nuk mund t’i shfrytëzojë as Qeveria dhe as komunat, por që sot Kuvendi përfunimisht ua dha komunave.

“Këto 37.5 milionë euro janë pezull dhe as Qeveria nuk mund t’i shfrytëzojë sepse nëse i shfrytëzon atëherë shkel ligjin, mirëpo as komunat nuk mund t’i shfrytëzojnë. Tendenca e Qeverisë në fillim ka qenë që t’ia ndalë të gjitha këto mjete komunave. Këto mjete janë të grumbulluara para vitit 2022. Ne si asociacion e kemi ngritur këtë shqetësim”, ka deklaruar ai.

Po ashtu, Ibrahimi kishte kërkuar vazhdimisht që këto mjete të u kthehen atyre që i kanë mbledhur sepse vetë atyre u takojnë.

“Vullneti i deputetëve ka qenë që mos t’i merren mjetet financiare komunave, tash a mund të konsiderohet kjo si gabim teknik, apo si mund të konsiderohet mirëpo ne kërkojmë që këto mjete ti bartën komunave sepse kuvendet komunale kanë marrë vendim që të shfrytëzohen këto mjete. Pas dërgimit të këtyre kërkesave në nivelin qendror ka filluar që të kthehen përgjigjet negativisht, se mjetet nuk mund të barten para vitit 2021 edhe pse ato janë të hyra vetanake”, tha ai.

Kujtojmë që “lufta” ndërmjet komunave dhe Qeverisë deri në këtë pikë ka arritur, pasi që në nivel vendi partia e Kurtit dhe Muratit qeverisë në vetëm 4 komuna, dhe kjo shihej si obstruksion për rivalët e tjerë politikë në nivel lokal.

Kthime të mjeteve, komunat po i kërkojnë duke u mbështetur në legjislacionin aktual në fuqi.

Komunat më të prekura nga kjo politikë e ministrit Murati deri më sot ishin: Prishtina, Peja, Suhareka, Dragashi, dhe Kaçaniku./Lajmi.net