Murati me refrenin e bërë bajat, vazhdon sulmet ndaj partive të tjera: LDK s’po mund të shkëputet nga PDK-ja e Lista Serbe, neve na takon pozita e kryeparlamentarit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka komentuar pas dështimit të 52-të të tentativës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Ai u shpreh se seanca e planifikuar për nesër është një mundësi që duhet shfrytëzuar nga të gjithë deputetët për t’i hapur rrugë afateve kushtetuese për formimin e institucioneve të vendit, transmeton lajmi.net Murati u…

Lajme

25/07/2025 12:28

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka komentuar pas dështimit të 52-të të tentativës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Ai u shpreh se seanca e planifikuar për nesër është një mundësi që duhet shfrytëzuar nga të gjithë deputetët për t’i hapur rrugë afateve kushtetuese për formimin e institucioneve të vendit, transmeton lajmi.net

Murati u shpreh për mediat se Kosova ndodhet “në territor të pashkelur juridikisht”, duke iu referuar masës së fundit të vendosur nga Gjykata Kushtetuese që pezullon punën e Kuvendit deri më 8 gusht:

“E dëgjuat kryesuesin e seancës i cili na ftoi në seancë të nesërmen në orën 14:00. Kjo është një mundësi që do duhej të shfrytëzuar nga të gjithë deputetët që t’i hapet rruga e konstituimit të Kuvendit dhe të procedojmë tutje me afatet kushtetuese për formimin e Qeverisë. Jemi në territor të pashkelur më parë juridikisht, i takon Gjykatës Kushtetuese që e ka kërkuar afatin deri më 8 gusht që të sqaroj se çka do të ndodhë.”

Murati tha se VV-ja ka ofruar kompromiset e nevojshme dhe ka bërë hapa konkretë për tejkalimin e ngërçit politik. Ai kërkoi nga partitë e tjera që të jenë fleksibël dhe të angazhohen për konstituimin e Kuvendit:

“Ne kemi ofruar edhe marrëveshje politike edhe kompromise të nevojshme, u takon edhe palëve tjera të bëjnë lëvizje para, sepse ne si fitues kemi bërë lëvizjet e nevojshme. Nisma në këtë rast do duhej të votonte, pra konstituimi i Kuvendit është obligim i të gjithë deputetëve. Ne për Nismën Socialdemokrate kemi pasur edhe ofertë për bashkëqeverisje kemi pasë edhe për LDK-në, por ata nuk po mund të shkëputen nga PDK dhe Lista Serbe. Siç e kemi thënë më herët, këto dy çështje janë të ndara, konstituimi i Kuvendit është obligim i të gjithë deputetëve. Formimi i Qeverisë është obligim i koalicionit qeverisës që e përbën shumicën. Megjithatë, nëse ka pasur kërkesa që duhet të ketë marrëveshje politike edhe për konstituim të Kuvendit edhe këtë gjë e kemi ofruar, por deri më tani nuk kemi pasur përgjigjje pozitive me subjektet me të cilat kemi diskutuar.”

Duke folur për pozitën e kryeparlamentarit, Murati theksoi se e njëjta i përket subjektit fitues dhe nuk pranishin kompromis në këtë drejtim:

“Sa i përket postit të kryeparlamentarit ne e kemi theksuar dhe këtë gjë e ka sqaruar edhe Gjykata Kushtetuese. Është tepër e qartë në Kushtetutë që fituesit të zgjedhjeve i takon kandidati apo propozimi për kryetarin e Kuvendit në këtë rast propozimi ynë është Albulena Haxhiu dhe duhet të lëvizim tutje në këtë formë.”/lajmi.net/