Muhaxheri dhe zyrtarët e QPS-së do të intervistohen për rastin e Arlinda Zekajt, mbledhjet do të jenë të hapura për publikun

Komisioni Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt ka vendosur që intervistimet e zyrtarëve institucionalë të zhvillohen në mbledhje të hapura për publikun, përveç rasteve kur trajtohen dëshmi apo informacione konfidenciale. Gjatë mbledhjes, deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, kërkoi sqarime nga kryetari i Komisionit, Burim Ramadani, lidhur me mosdërgimin…

Lajme

18/11/2026 09:49

Komisioni Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt ka vendosur që intervistimet e zyrtarëve institucionalë të zhvillohen në mbledhje të hapura për publikun, përveç rasteve kur trajtohen dëshmi apo informacione konfidenciale.

Gjatë mbledhjes, deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, kërkoi sqarime nga kryetari i Komisionit, Burim Ramadani, lidhur me mosdërgimin e kërkesave për dokumentacion në të gjitha institucionet, ndonëse, sipas saj, një gjë e tillë ishte dakorduar më herët.

“Dakordimi ka qenë që të shkojnë kërkesat për të gjitha. Me na njoftu pse nuk ka shkuar kërkesa për të gjitha”, tha Kica-Xhelili.

Në përgjigje, Ramadani sqaroi se vonesa kishte ardhur për arsye teknike, duke siguruar se kjo nuk do të përsëritet.

“Jo nuk ka pasur as një problem, arsyeja ka qenë teknike. Kjo nuk do të përsëritet, nesër e tutje do të përgatitej të gjitha dokumente për të gjitha institucionet”, deklaroi ai.

Ramadani bëri të ditur edhe planin për intervistimin e hetuesve policorë dhe zyrtarëve të zinxhirit komandues të Policisë së Kosovës.

Ai njoftoi se më 27 nëntor do të ftohen për intervistim hetuesit policorë, ndërsa nga 30 nëntori deri më 4 dhjetor pritet të intervistohen zyrtarët e zinxhirit komandues të Policisë dhe përfaqësuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës.

Ndërkohë, deputeti i VV-së, Adnan Rrustemi, propozoi që intervistimet të organizohen në dy faza, ku fillimisht pyetjet e përgjithshme të bëhen në mbledhje të hapur, ndërsa ato që përfshijnë informacione personale të trajtohen në mbledhje të mbyllur.

“Unë mendoj që duhet ta organizojmë procesin e intervistimit në dy pjesë, faza e parë që bëjmë pyetje në përgjithësi që është e hapur për publikun. Në pjesën e dytë që janë pyetje më personale të jetë e mbyllur. Në pjesën e parë mendoj që është shumë me rëndësi që të jetë e hapur”, tha Rrustemi.

Me këtë propozim u pajtua edhe deputeti i PDK-së, Eman Rrahmani, i cili theksoi se pjesët ku trajtohen dëshmi konfidenciale duhet të zhvillohen pa praninë e publikut.

“Pajtoj që mbledhjet gjatë intervistimit duhet me qenë të hapura, pajtohem që në pjesët që dëshmitari ka përgjigje konfidenciale të jetë e mbyllur”, u shpreh Rrahmani.

Edhe Kica-Xhelili rekomandoi që intervistimi i zyrtarëve të Qendrës për Punë Sociale (QPS) të zhvillohet në mbledhje të mbyllur, për shkak të natyrës së pyetjeve që mund të lidhen me fëmijën.

“Rekomandimi im është që në rastin e QPS të jetë i mbyllur, pasi do të ketë pyetje për fëmijën”, tha ajo.

Në fund, kryetari i Komisionit, Burim Ramadani, sqaroi se kërkesa për mbylljen e mbledhjes duhet të bëhet nga pala që intervistohet, ndërsa vendimi përfundimtar do të merret nga anëtarët e Komisionit përmes votimit.

“Thelbi është që pala që vjen duhet të kërkojë në komision mbylljen ose jo dhe ne atëherë e votojmë. Duhet të arsyetojë pala”, deklaroi Ramadani.

Gjatë mbledhjes u bë e ditur se në kuadër të këtij procesi do të intervistohen edhe Toska Gega, menaxhere e rastit në Qendrën për Punë Sociale në Pejë, Durim Kelmendi, udhëheqës në QPS, Shpat Morina, zyrtar i QPS-së, Shpresa Lukaj, drejtuese e QPS-së në Pejë, si dhe Gazmend Muhaxheri, kryetar i Komunës së Pejës. /Lajmi.net/