Mot përvëlues në fundjavë – Temperaturat pritet të kapin mbi 40 gradë
Një valë e të nxehtit ekstrem pritet të përfshijë vendin tonë gjatë ditëve në vijim. Sipas parashikimeve, e premtja (24 korrik) do të karakterizohet me mot kryesisht me diell, ndërsa temperaturat maksimale në nivel vendi do të arrijnë në 38°C deri 39°C, me mundësi që në disa zona të izoluara të kalojnë edhe mbi 40°C.…

Lajme
Një valë e të nxehtit ekstrem pritet të përfshijë vendin tonë gjatë ditëve në vijim. Sipas parashikimeve, e premtja (24 korrik) do të karakterizohet me mot kryesisht me diell, ndërsa temperaturat maksimale në nivel vendi do të arrijnë në 38°C deri 39°C, me mundësi që në disa zona të izoluara të kalojnë edhe mbi 40°C.
Në zonat malore, gjatë pasdites parashihen zhvillime të vransirave lokale, të cilat mund të sjellin reshje të izoluara shiu. Do të fryjë erë nga drejtimi perëndimor dhe veriperëndimor, me intensitet të lehtë deri mesatar (3-7 m/s). Netët do të jenë tropikale, me temperatura minimale që do të mbesin mbi 20°C.
E shtuna – dita më e nxehtë e javës
E shtuna pritet të jetë dita më përvëluese, me temperatura që do të arrijnë 39°C deri 40°C, ndërsa lokalisht mund të shënohen edhe vlera më të larta. Pasdite, mbi zonat malore mund të ketë zhvillime të vransirave të cilat mund të sjellin rrebeshe shiu dhe bubullima, të cilat mund të përfshijnë edhe zona të tjera të vendit.
Këto rrebeshe mund të vazhdojnë edhe gjatë orëve të para të së dielës, kur parashihet edhe një ulje graduale e temperaturave – duke zbritur në 33°C deri 35°C.
Javën tjetër – freskim dhe reshje të mundshme
Në fillim të javës së ardhshme, temperaturat do të vazhdojnë të bien, duke lëvizur rreth 29°C të hënën dhe deri në 26°C të martën. Gjithashtu, priten reshje të mundshme shiu, veçanërisht ditën e martë, thotë Mendimi për Motin, transmeton lajmi.net
Netët e nxehta tropikale do të jenë prezente gjatë fundjavës, por duke filluar nga java tjetër, temperaturat minimale do të bien ndjeshëm, duke zbritur deri në 14°C – 15°C.
Erërat do të fryjnë kryesisht nga perëndimi dhe jugperëndimi me intensitet 5-12 m/s, ndërsa nga e hëna drejtimi i tyre pritet të ndryshojë në verior./lajmi.net/