Mosarritja e marrëveshjes VV-LDK, spektakël politik

Gjatë ditës së sotme kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është takuar me kryetarin e Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa për të arritur një marrëveshje përfundimtare.

Lajme

02/12/2019 20:18

Edhe pse janë deklaruar që kanë përputhje në çështjet programore, Kurti e Mustafa nuk arritën të dakordohen për koalicion bashkëqeverisës.

Duke mos dhënë detaje për çka nuk u arrit marrëveshja, Kurti tha se do të jetë në kontakt me Mustafën.

“Kur të kemi marrëveshjen do flasim gjerë e gjatë. Në negociatat tona avancim ka, por nuk ka marrëveshje. Kur ta kemi marrëveshjen e plotë do ta shpalosim gjerë e gjatë. Këtu përfundon takimi, unë do të jem në kontakt me Mustafën”.

Ndërsa, Mustafa ka thënë se dallimet në mes LDK-së dhe VV-së do t’i tregojnë kur t’i përafrojnë ato.

“E patëm një bisedë mjaft përmbajtjesore sepse pa biseda të tilla është e vështirë që të arrihet një bashkëpunim i qëndrueshëm katërvjeçar. Natyrisht se e kemi pasur pajtueshmërinë sa i përket programit qeverisës dhe çështjeve të cilat janë harmonizuar ndërmjet grupeve tona punuese. Dallimet tona do t’i tregojmë kur t’i përafrojmë ato, derisa ne po bisedojmë, ato mbesin çështje tona të cilat ne duhet t’i përafrojmë”, ishin fjalët e Mustafës pas takimit.

Ndërkohë, u raportua se LDK ka rritur kërkesat e saj dhe është pikërisht ndarja e ministrive që ka bllokuar marrëveshjen.

Njohësi i çështjeve politike, Shkodran Ramadani i ka thënë lajmi.net se kjo që ndodhi sot është një spektakël politik.

“Është spektakël politik për shkak që zgjedhjet e 6 tetorit e kanë ngushtuar shumë fushën e manovrimit të LDK-së dhe VV-së, dhe për shkak se klima e krijuar para zgjedhjeve e ka shoqëruar të njëjtën edhe pas zgjedhjeve, në njëfar mënyre janë krijuar blloqe. LDK dhe VV e shohin veten në pushtet, këta mundohen me e kalu veten  me rrit percepsionin se kjo është gjë shumë e rëndësishme dhe se fati i Kosovës varet nga ky koalicion. Këto janë mospajtime të cilat duanë me rrit pazarin negociues por pajtim do arrihet pas pak ditësh”, ka deklaruar Ramadani.

Ramadani ka theksuar se në Vetëvendosje janë pajtuar që posti i presidentit t’i takojë LDK-së dhe se kjo nuk po e bllokon marrëveshjen.

Sipas tij, LDK dëshiron që edhe posti i kryeministrit të jetë në tryezën e diskutimeve.

“Besoj se për president janë marrë vesh, VV ka pranuar që presidenti t’i takojë LDK-së por nuk po pajtohen me çmimin me të cilin do të arrihet kjo marrëveshje.  Në LDK janë duke u marrë edhe për metodologjinë e ndarjes së posteve  për shkak se VV po thotë se posti i kryeministrit është jashtë marrëveshjes së koalicionit pasi atë e ka përcaktuar vota e qytetarit, ndërsa LDK po insistion që posti i kryeministrit të jetë pjesë e negociatave. Pra, nuk kanë të bëjnë me mosmarrëveshjet në çështjet programore por me pushtetin direkt”, ka përfunduar Ramadani. /Lajmi.net/