Modeli nga Venezuela
Gjeneza e fushatës “Vëzhgo dhe Voto” është nga Venezuela. Luan Shllaku nga KFOS thotë se kjo ide e ka intriguar kur ka dëgjuar për të në New York. Dhe ka vendosur ta dizajnojë për nevoja të Kosovës, në përpjekje për t’i zvogëluar manipulimet në zgjedhje.
Lajme
Luan Shllakut i është dashur të dëgjojë për një përvojë nga një shtet te i cili vështirë se mund të nxirret ndonjë përvojë pozitive në diçka.
Tri ditë më parë, Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS) dhe rrjeti vëzhgues i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” lansuan fushatën “Vëzhgo dhe Voto”, e cila i fton qytetarët që t’i denoncojnë shkeljet eventuale në ditën e zgjedhjeve.
Një fushatë që, në fakt, gjenezën e ka nga shteti diktatorial i Venezuelës dhe që ka për qëllim raportimin e keqpërdorimeve në zgjedhje përmes SMS’ve.
Luan Shllaku, Drejtor i KFOS’it, thotë për lajmi.net se një model i tillë është marrë nga Venezuela dhe është modifikuar për nevoja të Kosovës.
“Ne e kemi marrë këtë model nga Venezuela. Neve na është rekomanduar nga selia e Fondacionit Soros nga New York’u. Ne e kemi marrë si një ide dhe jemi ulur e vetë e kemi dizajnuar, pasi që një ide e tillë na intrigoi shumë. Nuk kemi informacione që dikush nga shtetet e Europës e ka aplikuar këtë model”, thotë Shllaku.
Në vitin 2010, raportet ndërkombëtare thonin se në Kosovë kishte ndodhur “vjedhje industrial e votës” gjatë zgjedhjeve parlamentare. Parregullsi tjera ishin regjistruar nga vëzhguesit edhe gjatë procesit të votimit.
Togfjalëshi shpejt pushtoi vokabularin politik opozitar duke u bërë trend i shpehjes.
Por, tani Shllaku bën të ditur se përmes kësaj nisme po bëhet përpjekje që të aktivizojnë qytetarinë aktive dhe për të zvogëluar mundësinë e manipulimit me vota.
“Ne presim që qytetari të marrë një përgjegjësi më të madhe në këtë moment për ndërtimin e demokracisë në Kosovë. Tash është koha që të kthehet ai shpirti qytetar pro ndërtimit të vendit. Ne nuk duhet që të lejojmë që t’i lëmë të gjitha përgjegjësitë tek institucionet dhe shteti apo dikush tjetër. Por, edhe ai duhet të angazhohet që këto zgjedhje të ecin mirë”.
“Forma e komunikimit do të ndodhë në këtë mënyrë: qytetarët do të dërgojnë mesazhe të cilët do të vijnë tek operatorët me të cilët ne bashkëpunojmë. Të gjitha mesazhet që arrijnë, ne do t’i kategorizojmë dhe do të ndahen në 7 kategori që ne i kemi ndarë, dhe ne në këtë mënyrë do të shohim se çfarë lloj parregullsish kanë ndodhur”.
“Ne kemi vendosur një lloj shtabi në Hotelin Grand dhe aty do të paraqesim një diagram të madh. Në bazë të tij do të shohim se çfarë po ndodh në vendvotime dhe çfarë lloj abuzimesh po bëhen”, thotë Luan Shllaku.
Sipas tij, të gjithë SMS’të e qytetarëve denoncues do të mbesin anonimë, pasi që në server nuk do të dalin katër shifrat e fundit të numrit të telefonit prej nga ka ardhur denoncimi për keqpërdorim.
Por, ai është i vetëdijshëm se mund të dërgohen SMS edhe me njoftime të rrejshme për ndonjë keqpërdorim, prandaj jo secili SMS, sipas tij, do të merret i mirëqenë.
“Nuk do të bëjmë ndonjë lloj reagimi, sepse si shoqëri civile ne nuk e kemi atë mandat. Ne nuk mund t’i besojmë edhe çdo mesazhi sepse mund të jenë edhe fals të cilat mund të vijnë nga partitë politike, mirëpo ne mendojmë se ky numër i mesazheve të rreme do të jenë më i vogël”, thotë Luan Shllaku, për lajmi.net.