Modeli LDK

LDK në Rahovec tha se modeli i saj i qeverisjes së mirë në Prishtinë, Istog e Podujevë do të shpërndahet edhe në komunat tjera. E më vonë, këtë model, ata synojnë ta përdorin në Qeverinë Qendrore.

Lajme

22/10/2013 11:22

Kandidati i LDK’së për Kryetar të Rahovecit, Fahredin Shehu, u prit si fitues dy javë para zgjedhjeve në tubimin që u mbajt në Rahovec në shkollën fillore “Mihal Grameno”.

“Qytetarët e Rahovecit me pjesëmarrje masive e dhanë përgjigjen e tyre ndaj mashtrimeve elektorale të partive kundërshtare që premtojnë subvencione përmes kandidatit që ka qenë ministër i bujqësisë kur rraheshin vreshtarët nga policia dhe hidhej rrushi”, thuhet në një komunikatë të LDK’së, të lëshuar pas këtij tubimi elektoral.

Folësit në tubim akuzuan Kryetarin aktual të Komunës, Smajl Latifi që në mungesë të përkrahjes nga qytetarët, po bën fushatë duke përdorur asete publike dhe duke shpërndarë kubëza dhe miell falas për qytetarë.

Anëtari i Kryesisë së LDK’së, Avdullah Hoti, tha se modeli i qeverisjes së LDK’në në Prishtinë, Istog, Podujevë dhe komuna të tjera që qeverisen nga kjo parti “do të shpërndahet në gjithë Kosovën”.

“Fitimi i komunave është vetëm hapi i parë drejt kthimit të LDK’së në Qeverinë Qendrore, për të cilën vendi ka shumë nevojë për të ndalur trendin negativ që ka kapluar Kosovën”, tha Hoti

Ndërsa Fahredin Shehu shpalosi programin i cili adreson nevojat e qytetarëve të Rahovecit, siç është furnizimi i rregullt me ujë, rregullimi i kanalizimit, rregullimi i parkut, ndërtimi i qendrës së mjekësisë urgjente dhe ri-rregullimi i komunikacionit në qytet.

“Të gjitha këto probleme janë përkeqësuar me qeverisjen aktuale, e cila është qeveria më e paaftë që ka pasur Rahoveci në këto vite”.

“Modeli i qeverisjes që do të promovojë LDK do të jetë model që bazohet në filozofinë rugoviane, qeverisje e bazuar në ligj, qeverisjes me përgjegjësi, me zero tolerancë ndaj korrupsionit dhe keqpërdorimeve”, tha Shehu.

Ai u premtoi banorëve të Rahovecit bashkëqeverisje me  ta “e jo pushtet të dhunës dhe presioneve ndaj qytetarëve siç e kanë provuar qytetarët e Rahovecit në këto vite”.