MIT koordinon përgatitjet për sezonin dimëror, kërkon kujdes të shtuar nga shoferët: Mbani pajisjet dimërore në veturë
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit (MIT) ka mbajtur një takim koordinues me Policinë e Kosovës dhe operatorët ekonomikë përgjegjës për mirëmbajtjen e rrugëve, në kuadër të përgatitjeve për sezonin dimëror. Gjatë takimit është diskutuar për gatishmërinë e ekipeve në terren, gjendjen e makinerive për pastrimin e borës, si dhe sigurimin e sasive të nevojshme të…
Lajme
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit (MIT) ka mbajtur një takim koordinues me Policinë e Kosovës dhe operatorët ekonomikë përgjegjës për mirëmbajtjen e rrugëve, në kuadër të përgatitjeve për sezonin dimëror.
Gjatë takimit është diskutuar për gatishmërinë e ekipeve në terren, gjendjen e makinerive për pastrimin e borës, si dhe sigurimin e sasive të nevojshme të kripës për trajtimin e ngricave.
Sipas MIT-it, mirëmbajtja e rrugëve bëhet gjatë gjithë vitit, ndërsa ndërhyrjet përshtaten varësisht nga kushtet atmosferike dhe specifikat e secilit sezon.
Ministria u ka bërë thirrje drejtuesve të automjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë vozitjes, veçanërisht në rastet kur në rrugë ka borë dhe ngrica, me qëllim të parandalimit të aksidenteve.
Po ashtu, MIT ka rikujtuar se pajisjet dimërore janë të detyrueshme nga 15 nëntori deri më 15 mars, duke apeluar te shoferët që para nisjes të kontrollojnë gjendjen e gomave dhe gjatë udhëtimit ta përshtatin shpejtësinë me kushtet e rrugës.