Ministrisë së Kulturës s’i bëhet vonë për Bienalen e Venedikut

Bienalja e Venedikut është një nga ngjarjet më të rëndësishme botërore në fushën e arkitekturës.

ShowBiz

26/04/2016 10:17

Kosova deri më tani ka marrë pjesë dy herë në këtë ngjarje, duke u prezantuar nga arkitekti Gëzim Paçarizi më 2014 dhe Flaka Haliti një vit më vonë.

Por sivjet, Kosova ka mbetur jashtë Bienales për shkak të vonesës së Ministrisë së Kulturës për të aplikuar. Këtë gjë e pranojnë edhe nga MKRS-ja e madje nuk pohojnë se këtë gabim do ta përmirësojnë vitin e ardhshëm, raporton lajm.net

“Po, ka pasur një vonesë në aplikim nga departamenti përkatës për këtë vit. Ndërkaq për vitin e ardhshëm do të shohim”, thotë Ndue Ukaj, këshilltari i ministrit Kujtim Shala.

Mospjesëmarrjen e Kosovës në këtë ngjarje, Gëzim Paçarizi e konsideron si mëkat pasi sipas tij, Kosova për dy herë radhazi arriti të dëshmohet si origjinale dhe kualitative krahas shteteve që investojnë shumë mjete.

“S’do fjalë që pjesëmarrja në Venedik është shumë e rëndësishme për hyrjen e Kosovës në UNESCO dhe njohja më e gjerë e saj si shtet. Një vizitor i zakonshëm ka pasë mundësi me e vizitua Pavijonin e Serbisë dhe të Kosovës në të njëjtën ditë dhe me i matë origjinalitetin dhe fuqinë e secilit pavijon. Po e theksoj se të gjitha shtetet e ish-Jugosllavisë marrin pjesë në Venedik”, thotë Paçarizi për lajmi.net

Ai vlerëson se Bienalja vizitohet nga më shumë se 400 mijë njerëz dhe të gjitha manifestimet kulturore gjatë tërë vitit në Kosovë nuk arrijnë të mbledhin kaq shumë publik.

“Prandaj është mëkat dhe joseriozitet mospjesëmarrja jonë sivjet. Ministria e Kulturës do të duhej të flasë publikisht për arsyet e kësaj mospjesëmarrje”, deklaron Paçarizi.

Tema e sivjetme në Bienale titullohet “Reporting From the Front” ndërsa kurator është përzgjedhur Alejandro Aravena. Sipas arkitektit kosovar, Kosova ka mundur të prezantoj arkitektët dhe institucionet që punojnë në përmirësimin e mjedisit, në kushte jashtëzakonisht të mjerueshme në Kosovë.

“Puna e arkitektit Bujar Nrecaj, me projektin e Bunatekave, i cili me iniciativë private ka ndërtua mbi tetë biblioteka nëpër fshatrat kosovare, kishte qene ideale për sivjet. Puna e ChËB, OJQ aktive në trashëgiminë kosovare poashtu do të ishte interesante”, shprehet Paçarizi.

Ai shton se kjo do të ndikonte në rritjen e interesit të publikut kosovar ndaj lajmeve që kanë të bëjnë me mjedisin e ndërtuar dhe përvojat e shteteve tjera do të ishin inspirim dhe frymëzim për ndryshime në vendin tonë.

Paçarizi bëri të ditur se ka pasur ftesë nga një organizim i pavarur “Time, Space, Existence”, por e ka refuzuar pasi pjesëmarrja ka qenë me pagesë. Ai thotë se iniciativat individuale nuk kanë vend në Bienalen e Venedikut megjithëse ka të tillë, ato kalojnë pa marrë vëmendje.

“Në Bienalen e Venedikut, janë vetëm dy mënyra të pjesëmarrjes: nëpërmes Pavijoneve nacionale edhe në kuadër të ekspozitës së kryekuratorit. Aravena si kurator nuk e ka ftuar asnjë kosovar për pjesëmarrje direkte. Ekzistojnë edhe disa manifestime OFF, me lidhje ose pa lidhje me Bienalen, por pjesëmarrja në to është shumë më pak e rëndësishme”, deklaroi Paçarizi. /lajmi.net