Ministrisë së Infrastrukturës i dalin miliona euro punë shtesë

Në disa projekte të infrastrukturës rrugore në të cilat po punon Ministria e Infrastrukturës kanë dalë milionë euro punë shtesë. Projektuesi i tyre thotë se nuk bëhet fjalë për projekte me defekte, por për punë të paparashikuara.

Lajme

03/12/2019 14:36

Në disa prej projekteve më madhore që janë kontraktuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, e që po punohet në to, po dalin punë shtesë.

Punët për ndërtimin e autostradës së Gjilanit, janë duke vazhduar edhe për kundër faktit që Prokuroria Speciale po e heton mënyrën se si u nënshkruan kontratat me punëkryesit.

Për këtë projekt janë nënshkruar 8 kontrata, pasi janë aq loto (pjesë). Lajmi.net që në muajin qershor ka raportuar se në këtë projekt kanë dal punë shtesë në shumicën prej pjesëve. Ndërkohë, zyra e prokurimit të MIT kohë pas kohë po bënë “njoftim për dhënie të kontratës” për tender të negociuar me kompanitë që janë të involvuar në këtë projekt. Njoftimi i fundit është bërë para dy jave.

Kompania “Infra –Plus” është e kontraktuar për hartimin e projekteve infrastrukturore në Ministrinë e Infrastrukturës. Lidhur më punët shtesë që po dalin, sidomos në autostradën e Gjilanit, Musa Islamaj, drejtor gjeneral në kompaninë “Infra-Plus” nuk e pranon se kompania e tij po dërgon në ministri projekte me defekte. Ai thotë se nuk mund të parashikohet saktë stabiliteti i tokës, dhe shpesh herë duhet të gërmohet më thellë për stabilitet, e ky gërmim kërkon kosto shtesë. Po ashtu, ai shton se edhe parashikimet e shpimit të tokës në male nuk mund të bëhen saktë, pasi sipas tij, toka në vendet shkëmbore nuk mund të shpohet për të marr mostrat.

“Ne nuk jemi të angazhuar për ta mbikëqyrur projektin. Por, më sa jemi të informuar, nuk kanë dalë punë shtesë në të gjitha lotot në autostradën e Gjilanit. Disa shkresa na kanë ardhur për shkak se ndjeshmëria e tokës nuk e ka mbërri stabilitetin dhe është dashur të shkohet në thellësi më të mëdha. Kjo për shkak se nëpër mal nuk ka dhënë saktësi instrumenti dhe është dashur që thellësia të shkojë më poshtë për shkak të stabilitetit e tokës. Kjo thellësi është matur nga menaxheri i ministrisë, ne vetëm e kemi aprovuar si lloj të ndarjes së kualitetit”, ka thënë Islamaj për lajmi.net.

Megjithkëtë, lajmi.net ka mësuar se jo të gjitha punët shtesë kanë dalur në zonat malore apo shkëmbore, madje në disa vende të tokave thellësia është kërkuar të shkojë deri në rreth 50 metra – rast i paprecedentë në rrugët e Kosovës deri më tani.

Punët shtesë kanë dalë në shumë prej lotove (pjesë) në fazën thuajse fillestare, ku po kryhen punët e gërmimit të dheut dhe mbushjes me zhavorr.

Sipas ligjit, punët shtesë mund të aprovohen deri në 10 për qind të vlerës së kontratës fillestare.

Ndonëse punët shtesë janë aprovuar për autostradën e Gjilanit që në pranverë të këtij viti, prokurimi i MIT po bënë njoftim në krpp në ndërkohë për aneks kontratat. Deri më tani ka njoftuar se punët shtesë kanë dal në këto loto: Lot 7, ky është duke punuar kompania :”Trade Holding L.L.C.” Vlera e punëve shtesë është 372.660,42 euro, ndërsa kontrata fillestare ka qenë 7 milionë e 247 mijë e 86 euro.

Në lot 2, ku tenderin e kishte fituar kompania “Gjoka Konstruksion” kanë dal punë shtesë në vlerë prej e kontratës 438.190,20 euro, derisa kontrata fillestare ka qenë  5 milionë e 906 mijë euro.

Në lot 5, ku është duke punuar kompania “Companya Eskavator”i Sh.p.k. Vlera e kontratës është 1.743.815,00 euro, ndërsa fillestarja ka qenë 17 milionë e 899 mijë e 684 Euro.

Në lot 8 kompania “JOOS & KRASNIQI -BAZE “SH.P.K.; ” PE -VLA-KU ” SH.P.K. Dega në Kosovë. Vlera e kontratës është 948.652,78, fillestarja ka qenë 11 milionë e 913 mijë e 157 euro.

Lot 1, “Granit SH.P.K”. Vlera e kontratës 1.843.107,00 euro dhe fillestarja ka qenë 18 milionë e 468 mijë e 426 euro.

Punë shtesë kanë dalë edhe tek kontrata “Zgjerimi i rrugës nacionale N9.1, Segmenti Dollc- Gjakovë” , tek lot. Vlera e punëve shtesë është 460.273,12 euro

Ndërsa tek :Zgjerimi i rrugës rajonale R102 Komoran – Skenderaj”, vlera e punëve shtesë  363.061,82 euro.

Edhe tek “Asfaltimi i rrugës Rajonale e R220”, ku po ndërton Kompania ” ILEAA-GR ” SH.P.K kanë dal punë shtesë 194.440,30 euro. /Lajmi.net/