Pas vrasjes së Arlinda Zekajt, Inspektorati evidenton mangësi në punën e QPS-së në Pejë – institucioni premton përmirësime
Komuna e Pejës ka publikuar një sqarim zyrtar lidhur me raportin e Inspektimit të Jashtëzakonshëm në Qendrën për Punë Sociale (QPS), pas rastit të vrasjes së Arlinda Zekajt, më 25 tetor 2026. Përmes këtij reagimi, Qendra për Punë Sociale në Pejë ka paraqitur veprimet që thotë se i ka ndërmarrë gjatë trajtimit të rastit, përfshirë…
Lajme
Komuna e Pejës ka publikuar një sqarim zyrtar lidhur me raportin e Inspektimit të Jashtëzakonshëm në Qendrën për Punë Sociale (QPS), pas rastit të vrasjes së Arlinda Zekajt, më 25 tetor 2026.
Përmes këtij reagimi, Qendra për Punë Sociale në Pejë ka paraqitur veprimet që thotë se i ka ndërmarrë gjatë trajtimit të rastit, përfshirë intervenimet fillestare, vlerësimet profesionale, bashkëpunimin me institucionet e tjera dhe mbështetjen e ofruar për fëmijën e përfshirë në këtë ngjarje, transmeton lajmi.net.
Sipas sqarimit, QPS-ja kishte reaguar pas kërkesës së Stacionit Policor në Pejë, duke angazhuar punonjësin social në kuadër të kujdestarisë 24-orëshe. Gjatë intervenimit fillestar ishte zhvilluar një bashkëbisedim me fëmijën, ishin vlerësuar rrethanat familjare dhe ishte marrë parasysh mosha, pjekuria dhe vullneti i tij.
QPS-ja bën të ditur se gjatë menaxhimit të rastit kishte realizuar edhe vizita në terren në vendbanimet e palëve, vlerësime të gjendjes socio-ekonomike, si dhe biseda me prindërit dhe familjarët, me qëllim të mbledhjes së informacioneve për rrethanat familjare dhe mirëqenien e fëmijës.
Në kuadër të këtij procesi, institucioni kishte kërkuar dhe siguruar raporte edhe nga shkolla “The Cambridge School” dhe Qendra e Shëndetit Mendor në Pejë. Këto dokumente, sipas QPS-së, kishin shërbyer për vlerësimin e gjendjes emocionale dhe psikologjike të fëmijës dhe përcaktimin e hapave të mëtejshëm.
Një tjetër aspekt që theksohet në reagim është respektimi i së drejtës së fëmijës për t’u dëgjuar dhe për të shprehur pikëpamjet e tij. QPS-ja thotë se, duke u bazuar në vlerësimet profesionale dhe gjendjen emocionale të fëmijës, kishte rekomanduar përgatitje graduale psikologjike për proceset e mëtejshme familjare.
Institucioni njofton gjithashtu se kishte marrë pjesë në procedurat pranë Gjykatës Themelore në Pejë, ku kishte dorëzuar raporte profesionale dhe kishte paraqitur vlerësimet e Organit të Kujdestarisë lidhur me gjendjen dhe nevojat e fëmijës. Në këtë kuadër, ishte propozuar vazhdimi i mbështetjes psikologjike dhe përgatitja graduale e tij.
Duke iu referuar ngjarjes tragjike të 25 tetorit, QPS-ja thotë se kishte ndërmarrë veprime urgjente për sigurimin e mbrojtjes dhe përkujdesjes së fëmijës, i cili kishte mbetur pa përkujdesje prindërore.
Sipas institucionit, në bashkëpunim me Prokurorinë, Policinë e Kosovës dhe institucionet përkatëse, ishte kërkuar vendosja e fëmijës në një mjedis të sigurt, ndërsa ishte siguruar edhe caktimi i kujdestarit ligjor.
QPS-ja shton se angazhimi kishte vazhduar edhe pas vendosjes së fëmijës në një vend të sigurt, përmes përcjelljes së gjendjes së tij shëndetësore, emocionale dhe psikologjike, si dhe kërkimit të raporteve të rregullta nga strehimorja.
Përveç veprimeve që QPS-ja thotë se i ka ndërmarrë, raporti i Inspektimit të Jashtëzakonshëm ka evidentuar edhe disa çështje që kërkojnë përmirësim në funksionimin administrativ, organizativ dhe procedural të institucionit.
Ndër to përfshihen plotësimi dhe përdorimi i formularëve standardë për menaxhimin dhe dokumentimin e rasteve, respektimi i afateve për dorëzimin e raporteve dhe dokumentacionit në gjykata, si dhe përmirësimi i mekanizmave të monitorimit dhe mbikëqyrjes së vazhdueshme të rasteve.
Po ashtu, janë evidentuar nevoja për forcimin e kapaciteteve profesionale dhe njerëzore të QPS-së, duke marrë parasysh numrin e rasteve dhe territorin që mbulon, si dhe qartësimin e kompetencave dhe përgjegjësive ndërmjet Qendrës për Punë Sociale dhe Drejtorisë për Mirëqenie Sociale.
Qendra për Punë Sociale në Pejë ka bërë të ditur se i merr seriozisht të gjitha gjetjet dhe rekomandimet e Inspektoratit dhe se do të ndërmarrë masat e nevojshme për zbatimin e tyre.
Në qëndrimin e saj, QPS-ja kërkon që puna e institucionit dhe rekomandimet e Inspektoratit të vlerësohen në mënyrë objektive dhe profesionale, duke marrë parasysh të gjitha veprimet e dokumentuara dhe çështjet që kërkojnë përmirësim.
Në fund, institucioni ka ritheksuar përkushtimin për përmbushjen e mandatit ligjor, mbrojtjen e kategorive të cenueshme dhe ofrimin e shërbimeve profesionale, duke theksuar se interesi më i mirë i fëmijës mbetet parim themelor i punës së tij.
REAGIMI I PLOTË:
Sqarim për opinionin publik lidhur me Raportin e Inspektimit të Jashtëzakonshëm në Qendrën për Punë Sociale në Pejë
Qendra për Punë Sociale në Pejë, pas pranimit dhe shqyrtimit të Raportit të Inspektimit të Jashtëzakonshëm të realizuar nga Divizioni për Inspektimin e Shërbimeve Sociale dhe Familjare, në kuadër të Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, lidhur me trajtimin e rastit të rëndë, që ka ndodhur në Komunën e Pejës, konsideron të nevojshme të informojë opinionin publik lidhur me angazhimin institucional, veprimet profesionale të ndërmarra dhe rekomandimet e evidentuara në këtë raport.
ANGAZHIMI DHE VEPRIMET PROFESIONALE TË QPS-SË:
Raporti i Inspektimit dokumenton një sërë veprimesh dhe intervenimesh profesionale të ndërmarra nga Qendra për Punë Sociale në Pejë gjatë trajtimit të rastit.
Gjatë kësaj periudhe, punonjësit socialë dhe profesionistët përgjegjës kanë vepruar në kuadër të mandatit dhe kompetencave të tyre ligjore, duke u përballur me rrethana komplekse dhe tejet të ndjeshme familjare e sociale.
Ndër veprimet kryesore të ndërmarra nga QPS Pejë veçojmë:
1.Intervenimin fillestar dhe kujdestarinë 24-orëshe:
QPS Pejë ka reaguar ndaj kërkesës së Stacionit Policor në Pejë, duke angazhuar punonjësin social në kuadër të kujdestarisë 24-orëshe. Gjatë intervenimit fillestar është realizuar bashkëbisedimi me fëmijën, janë vlerësuar rrethanat familjare dhe është marrë parasysh mosha, pjekuria dhe vullneti i tij.
2.Vlerësimet profesionale dhe vizitat në terren:
Gjatë menaxhimit të rastit janë realizuar vizita në terren në vendbanimet e palëve, vlerësime të gjendjes socio-ekonomike, bashkëbisedime me prindërit dhe familjarët, si dhe mbledhja e informacioneve relevante për rrethanat familjare dhe mirëqenien e fëmijës.
3.Bashkëpunimin me institucionet arsimore dhe shëndetësore:
QPS ka kërkuar dhe siguruar raporte nga shkolla “The Cambridge School” dhe Qendra e Shëndetit Mendor në Pejë. Këto raporte kanë shërbyer, si bazë profesionale për vlerësimin e gjendjes emocionale dhe psikologjike të fëmijës dhe për përcaktimin e hapave të mëtejshëm.
4.Respektimin e interesit dhe vullnetit të fëmijës:
Një aspekt me rëndësi të veçantë në trajtimin e rastit ka qenë respektimi i së drejtës së fëmijës për t’u dëgjuar dhe për të shprehur pikëpamjet e tij. QPS ka marrë parasysh vlerësimet e profesionistëve dhe gjendjen emocionale të fëmijës, duke rekomanduar përgatitje graduale psikologjike për proceset e mëtejshme familjare.
5.Përfaqësimin profesional në procedurat gjyqësore:
QPS Pejë ka marrë pjesë në procedurat pranë Gjykatës Themelore në Pejë, ka dorëzuar raporte profesionale dhe ka paraqitur vlerësimet e Organit të Kujdestarisë lidhur me gjendjen dhe nevojat e fëmijës. Në këtë kuadër, është ofruar edhe propozimi profesional për vazhdimin e mbështetjes psikologjike dhe përgatitjen graduale të fëmijës, duke pasur parasysh interesin e tij më të mirë.
6.Reagimin emergjent pas ngjarjes tragjike të datës 25.10.2026:
Veçanërisht i rëndësishëm është reagimi institucional i QPS-së pas ngjarjes tragjike, kur fëmija mbeti pa përkujdesje prindërore. QPS Pejë ka ndërmarrë veprime urgjente për sigurimin e mbrojtjes dhe përkujdesjes së fëmijës, duke kërkuar vendosjen e tij në një mjedis të sigurt, në bashkëpunim me Prokurorinë, Policinë e Kosovës dhe institucionet përkatëse. Në kuadër të këtyre veprimeve është siguruar edhe caktimi i kujdestarit ligjor.
7.Vazhdimësinë e mbikëqyrjes dhe mbështetjes profesionale:
Edhe pas vendosjes së fëmijës në një vend të sigurt, QPS ka vazhduar të përcjellë gjendjen shëndetësore, emocionale dhe psikologjike të tij, duke kërkuar raporte të rregullta nga strehimorja dhe duke bashkëpunuar me psikologët dhe profesionistët përgjegjës për planifikimin individual të kujdesit.
Këto veprime dëshmojnë angazhimin e vazhdueshëm të profesionistëve të QPS-së në përmbushjen e përgjegjësive institucionale për mbrojtjen e fëmijës.
GJETJET E INSPEKTORATIT DHE MASAT PËR PËRMIRËSIM:
Krahas evidentimit të veprimeve profesionale të ndërmarra, Raporti i Inspektimit identifikon edhe çështje, që kërkojnë përmirësim në aspektin administrativ, organizativ dhe procedural të funksionimit të Qendrës për Punë Sociale.
Ndër çështjet e evidentuara përfshihen:
Plotësimi dhe përdorimi i formularëve standardë për menaxhimin dhe dokumentimin e rasteve.
Respektimi i afateve për dorëzimin e raporteve dhe dokumentacionit në institucionet gjyqësore.Përmirësimi i mekanizmave të monitorimit dhe mbikëqyrjes së vazhdueshme të rasteve.
Forcimi i kapaciteteve profesionale dhe njerëzore në raport me numrin e rasteve dhe territorin, që mbulon QPS Pejë.
Qartësimi i kompetencave dhe përgjegjësive institucionale ndërmjet Qendrës për Punë Sociale dhe Drejtorisë për Mirëqenie Sociale.
Qendra për Punë Sociale në Pejë i trajton me seriozitet të gjitha gjetjet dhe rekomandimet e Inspektoratit dhe do të ndërmarrë veprimet e nevojshme për zbatimin e tyre, me qëllim të avancimit të procedurave të punës, forcimit të kapaciteteve profesionale dhe ngritjes së cilësisë së shërbimeve sociale.
Këto gjetje dhe rekomandime do të trajtohen me seriozitetin e duhur, ndërsa do të ndërmerren të gjitha masat e propozuara, të cilat shërbejnë si bazë për avancimin e mëtejshëm të punës institucionale, përmirësimin e procedurave dhe ngritjen e cilësisë së shërbimeve sociale.
QËNDRIMI DHE PËRKUSHTIMI INSTITUCIONAL:
Qendra për Punë Sociale në Pejë konsideron se vlerësimi i punës së institucionit dhe trajtimi i rekomandimeve të Inspektoratit duhet të bëhen në mënyrë objektive, profesionale dhe në përputhje me dokumentacionin zyrtar dhe rrethanat konkrete të rastit.
Në këtë drejtim, është e rëndësishme, që raporti të trajtohet në tërësinë e tij, duke marrë parasysh, si veprimet profesionale të dokumentuara, ashtu edhe çështjet, që kërkojnë përmirësim institucional.
Qendra për Punë Sociale në Pejë mbetet e përkushtuar në përmbushjen e mandatit të saj ligjor, në mbrojtjen e kategorive të cenueshme të shoqërisë dhe në ofrimin e shërbimeve profesionale, me përgjegjësi të plotë ndaj qytetarëve dhe institucioneve kompetente.
Profesionalizmi, përgjegjësia, ligjshmëria dhe interesi më i mirë i fëmijës mbeten parimet themelore të punës sonë institucionale.
QENDRA PËR PUNË SOCIALE – PEJË./lajmi.net/