Ministria e Inovacionit do të investojë 200 mijë euro për hapjen e Qendrës Multifunksionale Inovative në Shtime

Ministri në detyrë i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Muzafer Shala, ka nënshkruar memorandum të bashkëpunimit me kryetarin e Komunës së Shtimes, Naim ismajli, për rregullimin e Qendrës Mulitifunksionale Inovative në Shtime.

Lajme

21/08/2019 14:54

Ministri Shala ka bërë të ditur se Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, do të investojë 200 mijë euro për rregullimin e kësaj qendre, e cila do të shërbejë për bizneset, të rinjtë dhe individët që duan të merren me fushën e teknologjisë informative dhe inovacionit.

Ministri Shala pas nënshkrimit të memorandumit ka thënë se hapja e kësaj qendre multifunksionale do të krijojë mundësi të reja për të rinjtë dhe implementimin e ideve të tyre inovative.

“Kjo marrëveshje është vazhdimësi e marrëveshjeve të tjera, për të krijuar qendra të reja multifunksionale për inovacion. Qendra Multifunksionale Inovative në Shtime, do të shërbejë për krijimin e 50 mijë inxhinierëve të IT-së, pasi që është nevojë edhe e tregut, pjesa tjetër do të shërbejë edhe për krijimin e 5000 Start –up bizneseve inovative që është edhe njëra nga objektivat e Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë”, tha ai.

Ministri në detyrë Shala tha se janë duke i hulumtuar modelet më të mira të qendrave të inovacionit, për të krijuar sa më shumë hapësira për të rinjtë, bizneset dhe individët.

“Kjo hapësirë është e destinuar për studentët, ndërmarrjet inovative në proces të parainkubimit dhe inkubimit dhe për të rinjtë e interesuar për përgatitje profesionale në fushën e inovacionit. Qendra Multifunksionale Inovative, nuk do të jetë sikur qendrat tjera të inovacionit, por do të përfshijë një domen më të gjerë të veprimtarisë pasi që brenda saj, do të këtë edhe salla të trajnimeve për të rinjtë në fushën e teknologjisë informative, inxhinierisë dhe zhvillimit të softuerit”, tha ministri në detyrë i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë Muzafer Shala.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli, ka thënë se investimi i 200 mijë eurove për hapjen e Qendrës Multifunksionle inovative, do të hapë perspektiva të reja për të rinjtë e kësaj ane.

Ndryshe, deri më tani janë nënshkruar marrëveshjet për krijimin e Qendrës së Inovacionit në Ferizaj, asaj në Universitetin e Prishtinës, në Universitetin e Mitrovicës, kurse Ministria e Inovacionit është në proces të krijimit të qendrës së inovacionit edhe në Pejë.​ /Lajmi.net/