Ministria e Infrastrukturës nuk heq dorë nga shkeljet, po rrezikon keqpërdorimin e rreth 2 milionë eurove

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit (MIT) po tenton ta keqpërdorë buxhetin e shtetit për rreth dy milionë euro për një tender që kjo ministri po synon ta realizojë kundërligjshëm.

Lajme

16/01/2020 10:45

Në tetor të vitit 2019, ministria e Infrastrukturës ka shpallur fituesit e tenderit “Rikonstruimi i rrugës Rajonale R115, Segmenti  Prizren-Prevallë”. Tenderi është ndarë në dy lote (pjesë).

Fitues të tenderit për lot 1 janë shpallur kompanitë “Company Eskavatori” Shpk & “Pro&Co Group” Shpk & “Best Company” me vlerë të kontratës prej 7,849,716.18 eurove. Më të lira se kjo kompani kanë qenë 5 të tjera. Çmimi më i lirë ka qenë i kompanisë 2A GROUP & 2T, me çmim prej 6,477,472.67 euro. Por, të gjitha këto kompani u shpallën të papërgjegjshme nga ministria. Ndërkohë, lajmi.net pati zbuluar se kompanitë fituese  nuk i kanë plotësuar disa prej kritereve bazë. Ketë e ka vërtetuar së fundmi edhe Organi Shqyrtues i Prokurimit, ku e urdhëroi AK-në që lëndën ta ktheje në rivlerësim.

Lot 2 të këtij tenderi e kanë fituar grupi i kompanive “PAPENBURG & ADRIANI”, me çmim prej 6,643,867.79 eurove. Më të lira se kjo kompani kanë qenë edhe dy të tjera. Çmimi më i lirë ka qenë i kompanisë “SA-SALLAHU & GROMA HOLD”, në vlerë prej 5,894,246.39 euro, ose 749,621.40 euro më pak sesa oferta fituese. Edhe për këtë pjesë OSHP-ja e urdhëroi ministrinë që të kthehen në rivlerësim.

Ministria e mbajti tenderin në rivlerësim për disa javë dhe shpalli rezultatet e vlerësimit në orët e fundit të ndërrimit të moteve, ose rreth orës 14:30 të datës 31 dhjetor 2019. Komisioni i ministrisë shpalli fituese ofertat e njëjta.

Pas vendimit të ministrisë, kompanitë janë ankuar pranë autoritetit kontraktues, ku kanë bërë kërkesë për rishqyrtim. Kompanitë ankimore kanë qenë “Drini Company”, “Saba Bellça” –dega në Kosovë & “Fortesa O.P”, “2A Group & 2T” DHE “Sa-Sallahu” & “Groma Hold”.

Kompanitë janë ankuar se gjatë rivlerësimit janë bërë shkelje të mëdha, janë shpallur fitues kompanitë e njëjta, dhe disa prej tyre janë ankuar se janë eliminuar nga gara kundërligjshëm. Por të gjitha këto pretendime Ministria i ka hedhur poshtë, duke e lënë në fuqi vendimin e vetë. Tash këto kompani i janë drejtuar OSHP-së me ankesa.

Ndërsa, ankesën e kompanisë “Sa Sallahu” & “Groma Hold”, ministria nuk e ka trajtuar me arsyetimin se është bërë jashtë afateve kohore. Derisa OSHP-ja, në vendimin e vetë e kishte vlerësuar si të përgjegjshme ofertën e kompanisë “Sa Sallahu” & “Groma Hold” për lot 2, ministria po pretendon me çdo kusht që ankesa e kësaj kompani të mos shkojë më në OSHP, ngase “Gjykata e tenderëve” do të merrte të njëjtin vendim.

Ministria më datën 06.01.2020, kishte pranuar ankesën nga OE “SA-Sallahu” shpk& “GromaHold “ në ora 14:37 ashtu sikur dhe kompanitë tjera, në njoftimin për pezullim të aktivitetit të prokurimit ishte evidentuar ankesa e OE “SA-Sallahu” shpk& “GromaHold “ dhe e pranuar ankesa për ri-shqyrtim, mirëpo më datën 08.01.2020, AK-ja kishte njoftuar OE-në mbi refuzimin e ankesave.

“Ju njoftojmë se vendimi për dhënie të kontratës i AK është ngarkuar në sistem elektronik (e-prokurim) me datë 31.12.2019. Kërkesa për rishqyrtim duhet të dorëzohet tek autoriteti përkatës kontraktues, me postë ose me çdo mjet tjetër të komunikimit të lejuar me këtë ligj, brenda afateve të më poshtme: në qoftë se shkelja e supozuar ka të bëjë me vendimin për dhënie të një kontrate ose të një konkursi projektimi, brenda aftit prej pesë ditëve, pas datës së njoftimit për dhënie të kontratës ose njoftimit mbi rezultatet e konkursit të projektimit që i është dërguar ankuesit. Prandaj, duke pas parasysh kalkulimin e afateve sipas Ligjit dhe Rregulloreve në fuqi, dita e 01.01.2020 është dita 0, ndërsa dita e fundit për pranim të ankesës për rishqyrtim pran AK ka qenë data 06.01.2020”, thuhet në vendimin e refuzimit të kërkesës për rishqyrtim për kompaninë “Sa –Sallahu” & “Groma Hold”.

Sipas informatave të lajmi.net brenda KRPP-së, në këtë institucion ka dërguar pyetje kompania “SA-Sallahu” ku ka pyetur se a është proceduar më datë 06.01.2020, një ankesë që kishte të bënte për rishqyrtim kundër vendimit për dhënie të kontratës AK-MIT.

“Si shërbim i helpdeskut për sistem të prokurimit elektronik verifikohet që në procedurën me nr të prokurimit: 205-19-5392-5-1-1 në listën e kërkesave për rishqyrtim evidentohet një kërkesë e dorëzuar nga ana e OE SA-Sallahu SHPK me datë 06.01.2020 në ora 14:37”, thuhet në përgjigjen e KRPP-së që e ka parë lajmi.net.

Ministria e Infrastrukturës  duke e diskriminuar këtë konzercium, pra duke tentuar që mos të ia trajtojë ankesën dhe të ia humbë mundësit e ankimimit në OSHP dhe duke rënë në kundërshtime me LPP dhe  me vendimet e veta po pretendon të dëmtojë buxhetin e Republikës se Kosove për rreth 2.000.000 euro.

Edhe Paneli i OSHP-së po ia përgatitë rrugën Ministrisë

Fillimisht, fituesit e këtij tenderi janë bërë publik në tetor të vitit të kaluar. Lajmi.net kishte raportuar se Ministria kishte shpallur fitues kompanitë e papërgjegjshëm, që kishin çmim më të shtrenjtë sesa kompanitë që ishin të përgjegjshme.

Më pas kompanit ishin ankuar te AK-ja, por ankesa e tyre ishte hedhur poshtë. Më pas ishin ankuar edhe në OSHP. Ky institucion e kishte rekomanduar ekspertin e vet, që të shoshiste provat. Eksperti i OSHP-së kishte gjetur shkelje dhe e ka rekomanduar AK-në që krejt tenderin ta ktheje në rivlerësim.

Në bazë të ankesave të operatorëve ekonomik për projektin“Rikonstruktimi i Rrugës Rajonale R115 , Segmenti Prizren –Prevall” Lot 1 dhe Lot 2 me vlerë të parashikuar 17.054.508,24 € , gjatë ekspertizës eksperti ka konstatuar se OE ankues me çmimin më të lirë “SA-Sallahu” shpk& “GromaHold “është i përgjegjshëm dhe se arsyet për eliminim nga AK-MIT nuk qëndrojnë, pra, janë të pa baza.

Ndërsa eksperti ka konstatuar se OE fitues për Lot 1 nuk është i përgjegjshëm pasi që nuk ka ofruar dokumentacionin në harmoni me kërkesat në dosjen e tenderit dhe është operatori i dytë me çmimin më të lartë nga nëntë ofertat, si dhe OE fitues për Lot 2 nuk ishte i përgjegjshëm pasi që nuk i kishte ofruar dokumentacionin sipas dosjes së tenderit dhe është me çmim më të lartë afër 750,000 euro se operatori i parë.

Pas ekspertizës se ekspertit, lëndën pas shumë zvarritjesh e kishte marrë në shqyrtim Paneli shqyrtues i OSHP-së. Ky Paneli ka konstatuar dhe ka marrë vendim që lënda të kthehet në rivlerësim pasi që OE fitues nuk i kanë plotësuar kërkesat në bazë të dosjes dhe se çmimi i ofertave ishte më i lartë. Por, sipas ankesave që i ka parë lajmi.net dhe tërë dokumentacionit që e posedon, paneli i OSHP-së në vendimin e vetë i ka bishtnuar disa pika ankimore të kompanive ankuese që kishin të bënin me kompanitë fituese.

Edhe pse operatoret ekonomik ankues, kishin prezantuar një shkelje serioze tek OE fitues “Papembur Adriani” ku i njëjti OE me qëllim të mashtrimit të Autoritetit Kontraktues, kishte ofruar një DUD doganor të një makinerie me anë të të cilit kishte tentuar që të mbulojë dy makineri. Pra, ka dorëzuar dokumentin e njëjte për dy makineri të ndryshme, në bazë të dokumenteve vërehet se me dokumentet e makinerisë nr.16  të kërkuar sipas listës së makinerisë, ka dorëzuar dokumentin e njëjte DUD doganor edhe për makinerinë nr. 17. OE i shpallur fitues për Lot 2 duke e pasur parasysh se ka mungesë të një makinerie sipas dokumenteve të ofruara i mungon makineria nr 17. Sipas listës së makinerisë në dosjen e tenderit, paneli shqyrtues e ka anashkaluar këtë pikë, pa çka se është dashur që të marr masa ndaj OE për ofrim te dëshmive të rrejshme lidhur me këtë pikë, po ashtu edhe pse Autoriteti Kontraktues ishte në dijeni për ketë mashtrim të OE, ka tentuar të fsheh këto fakte dhe të favorizojë OE duke keqpërdorur detyrën zyrtare dhe duke e shpërblyer me kontratë.

Lajmi.net ka raportuar më herët se kjo kompani është e afërt me zëvendësministrin e MIT, Rexhep Kadriu.

Po ashtu edhe te Lot 1 ka pasur shumë shkelje serioze të cilat nuk janë verifikuar nga paneli shqyrtues, edhe pse OE-të ankues kanë  afruar dëshmi dhe fakte për pajisje në bazë të numrit të makinerisë dhe fotografive  për secilën pikë të listës së makinerisë së kërkuar nga AK, OE fitues për Lot 1 nuk kishte ofruar makineri në bazë të kërkesës së dosjes së tenderit, por kishte ofruar makineri që nuk kishin të bëjnë me kërkesat në dosjen e tenderit dhe me natyrën e punës së kësaj procedure të prokurimit, por në vend të kamionit për zhavorr ka ofruar kamion me carad për transport të pemëve dhe perime.

Tash për këtë tender do të mblidhet përsëri OSHP-ja. /M.B-Lajmi.net/