Ministria e Gërvalles i kundërpërgjigjet Hykmete Bajramit për çështjen e konkurseve të fundit: Përpjekje për të krijuar perceptim të rremë në opinion

Ministria e Drejtësisë ka reaguar ndaj deklarimeve të ish-deputetes së LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila ka kritikuar shpalljen e disa pozitave të larta udhëheqëse, duke i cilësuar ato si në kundërshtim me Ligjin për Qeverinë në dorëheqje. Në reagimin e saj, Ministria e Drejtësisë i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke i cilësuar si të…

Lajme

08/05/2026 11:04

Ministria e Drejtësisë ka reaguar ndaj deklarimeve të ish-deputetes së LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila ka kritikuar shpalljen e disa pozitave të larta udhëheqëse, duke i cilësuar ato si në kundërshtim me Ligjin për Qeverinë në dorëheqje.

Në reagimin e saj, Ministria e Drejtësisë i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke i cilësuar si të pavërteta dhe tendencioze, transmeton lajmi.net.

“Ministria e Drejtësisë i hedh poshtë si të pavërteta dhe tendencioze pretendimet e znj. Hykmete Bajrami… lidhur me shpalljen e pozitave të larta drejtuese në kundërshtim me Ligjin”, thuhet në reagim.

Sipas Ministrisë, pretendimet “nuk qëndrojnë as në aspektin faktik dhe as në atë ligjor”, duke i quajtur ato përpjekje për krijimin e perceptimeve të rreme në opinionin publik.

“Përbëjnë një përpjekje për të krijuar perceptim të rremë në opinionin publik mbi procese të rregullta dhe të ligjshme”, thekson Ministria e Drejtësisë.

Institucioni ka sqaruar se procedurat për këto pozita janë iniciuar në bazë të Planit të Rekrutimit për vitin 2026 dhe sipas kërkesave zyrtare institucionale, duke shtuar se ato janë zhvilluar në përputhje me ligjin.

“Ministria e Drejtësisë ka vepruar në përputhje të plotë me këtë kornizë ligjore dhe planifikim institucional”, thuhet më tej në reagim.

Po ashtu, Ministria ka theksuar se publikimi i konkurseve dhe proceset e aplikimit janë zhvillime procedurale të rregullta dhe nuk përbëjnë inicim të ri në periudhën e kufizimeve ligjore për qeverinë në dorëheqje.

Në fund, Ministria e Drejtësisë ka ritheksuar se të gjitha procedurat janë transparente, të ligjshme dhe të dokumentuara, duke mohuar çdo shkelje të pretenduar dhe duke kërkuar që puna institucionale të mos vihet në pikëpyetje përmes deklarimeve politike.

Reagimi i plotë: 

Ministria e Drejtësisë i hedh poshtë si të pavërteta dhe tendencioze pretendimet e znj. Hykmete Bajrami, ish-deputete nga radhët e LDK-së, lidhur me shpalljen e pozitave të larta drejtuese në kundërshtim me Ligjin.
Këto pretendime nuk qëndrojnë as në aspektin faktik dhe as në atë ligjor, dhe përbëjnë një përpjekje për të krijuar perceptim të rremë në opinionin publik mbi procese të rregullta dhe të ligjshme.
Procedurat për këto pozita janë iniciuar përmes kërkesës zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë për hapjen e tyre, në kuadër të Planit të Rekrutimit për vitin 2026, të përcjellë më 27 prill 2026 në Ministrinë e Digjitalizimit dhe Administratës Publike, në kohën kur Qeveria ushtronte mandatin e saj të plotë dhe para hyrjes në fuqi të kufizimeve për Qeverinë në dorëheqje. Në përputhje me Ligjin Nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë, organizimi dhe zhvillimi i mëtejmë i procedurave të rekrutimit për pozitat e larta drejtuese realizohet nga ministria përgjegjëse për administratën publike, sipas një kornize të qartë dhe të përcaktuar me ligj.
Ministria e Drejtësisë ka vepruar në përputhje të plotë me këtë kornizë ligjore dhe planifikim institucional. Publikimi i konkurseve në portalin shtetëror për rekrutim elektronik (https://konkursi.rks-gov.net) më 28 prill dhe e drejta për aplikim deri më 28 maj, janë zhvillime procedurale që burojnë drejtpërdrejt nga kjo kërkesë e rregullt dhe e ligjshme dhe nuk përbëjnë në asnjë rast inicim të ri në periudhën e kufizimeve.
Çdo përpjekje për t’i paraqitur këto procese si shkelje të nenit 31 të Ligjit për Qeverinë është interpretim i qëllimshëm dhe i pasaktë i ligjit, që bie ndesh me faktet, kronologjinë zyrtare dhe vetë përmbajtjen e dispozitës ligjore.
Përpjekjet për të ndërtuar narrativa të paligjshmërisë aty ku ka procedura të rregullta dhe të dokumentuara nuk i shërbejnë as transparencës dhe as besimit publik. Përkundrazi, ato përbëjnë instrumentalizim të çështjeve institucionale për qëllime politike ditore.
Kësisoj, Ministria e Drejtësisë përgënjeshtron çdo akuzë të mundshme të ish-deputetes Bajrami, duke ritheksuar se të gjitha këto procedura janë të hapura, transparente dhe të bazuara në ligj, dhe nuk do të lejojë që puna institucionale të vihet në pikëpyetje përmes pretendimeve të pavërteta./lajmi.net/