Ministria e Drejtësisë do të marrë opinionin e Komisionit të Venecias për vetting-un në mars

Marsi i vitit tjetër parashihet të jetë muaji kur Komisioni i Venecias do të ofrojë opinion për koncept-dokumentin e Ministrisë së Drejtësisë mbi çështjen e vetting-ut. Për këtë të fundit, Qeveria ka marrë edhe vërejtje nga faktorët ndërkombëtar.

Lajme

04/12/2021 16:26

Afati për opinionin e Komisionit të Venecias është bërë i ditur në uebfaqen zyrtare të kësaj të fundit, derisa thuhet se më datën 10 ose 11 dhjetor do të jetë edhe pjesë e seancës plenare së këtij komisioni, shkruan lajmi.net.

“Kërkesa për këtë opinion është dorëzuar nga Ministri i Drejtësisë së Kosovës më 26 tetor 2021. Draft opinioni do të jetë në rendin e ditës të seancës plenare të dhjetorit të Komisionit (10-11 dhjetor 2021)”, thuhet në njoftimin e komisionit gjyqësor të BE-së.

Në nëntor, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në takimin e parë të grupit punues për hartimin dhe finalizimin e legjislacionit për procesin e Vettingut në sistemin e drejtësisë, pati njoftuar për koncept-dokumentin që e kanë dërguar për vlerësim në Komision të Venecias.

“Koncept-dokumentin e kemi dërguar edhe në Komision e Venecias. Kemi marrë përgjigje pozitive që i njëjti koncept-dokument, me opsionet që i kemi ndjekur do të trajtohet dhe do të na vijnë përgjigje nga Komisioni i Venecias”, pati thënë Haxhiu.

Procesi është kritikuar nga diplomatë ndërkombëtarë që shërbejnë në Kosovë, e së fundmi edhe nga ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott.

“Por në çdo vend ku është vendosur një sistem i tillë vettingu, është gjithmonë një proces delikat që kërkon maturi për t’u zbatuar me sukses. Për këtë arsye, ne kemi inkurajuar qeverinë që të konsultohet me Komisionin e pavarur të Venecias për këtë, dhe të dëgjojnë me kujdes shqetësimet e partnerëve të tjerë ndërkombëtarë”, ka deklaruar ai.

Raporti i Progresit për vitin 2021 në Kosovë ka kritikuar hapat e ndërmarrë për rivlerësimin profesional të gjyqtarëve e prokurorëve, duke e cilësuar si “shqetëim serioz”.

“Qeveria e re ka shqyrtuar disa opsione për një proces për ‘vetting’ të gjyqësorit dhe prokurorisë. Në këtë kontekst, prezantimi i mundshëm i një rivlerësimi të plotë të njëhershëm të të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve paraqet një burim shqetësimi serioz. Një proces i tillë do të duhej të konsiderohet vetëm si një masë e jashtëzakonshme e mjetit të fundit, pasi të jenë shteruar të gjithë mjetet dhe mekanizmat ekzistues për të siguruar integritetin dhe për të luftuar korrupsionin e titullarëve të detyrave gjyqësore, dhe do të duhej të jetë në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, si dhe me këshillat e Komisionit të Venecias”, u tha në raportin e Komisionit Evropian.

Përkundër zërave kritik, procesi i vetting-ut ka marrë edhe mbështetjen e presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti. /Lajmi.net/