Ministria do të krijojë Fond për kompensimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore

Biznesi familjar i familjes Avdyli nga fshati Myzeqinë e Shtimes u dëmtua nga shtrëngata që të hënën natën përfshiu shumë zona të Kosovës.

Lajme

13/01/2016 17:14

Kësaj familje që merret me kultivimin e sallatave iu shkaktua dëm afër 10 mijë euro duke iu shkatërruar kështu sera ku qe sa vjet mbillnin sallatat me të cilat mbanin familjen.

Magbule Avdyli pronare e këtij biznesi privat tha për KosovaPress se dëmet që janë shkaktuar nga era e fortë janë të mëdha dhe të përballueshme për buxhetin e tyre që ta kompensojnë atë.

Avdyli pret që këto dëme të kompensohen nga Ministria e Bujqësisë.

“Këtë biznes e kemi qe 8 vite . Dëmet siç po shihen janë bukur të mëdha dhe janë të papërballueshme për neve si pronarë të kësaj edhe si familje që punojmë këtë biznes. Pra presim ndonjë ndihmë diçka prej Ministrisë së Bujqësisë”, tha Avdyli.

Ajo tregon se serat kanë pasur sistemin e ngrohjes të cilin herë-herë e kanë shfrytëzuar sipas nevojës me sistem të ujitjes dhe sipas Magbule Avdylit është shumë e vështirë të kthehet ashtu siç ka qenë përpara.

Ndihmë nga Ministria e Bujqësisë për dëmet që janë shkaktuar në komunën e tyre pret edhe drejtoresha e Shërbimeve Publike në komunën e Shtimes Ardiana-Rama Gashi.

Ajo ka mbledhur të dhënat që janë shkaktuar gjatë shtrëngatës e sipas së cilës më së shumti janë në sektorin e bujqësisë.

“Në komunën e Shtimes nga erërat e forta që kanë qenë këtyre ditëve janë dëmtuar serat në sektorin e bujqësisë afërsisht 1 hektarë, rreth 50 mijë fidanë të mbjellura , kultura e sallatës po ashtu janë afërsisht 40 ari, ndërsa sa i p? ?rket shtëpive amvisërisë nuk kemi pasur ndonjë kërkesë deri më tani. Ndërsa sa i përket fermave në fshatin Rashincë është dëmtuar pullazi i fermës së pulave”, tha Rama-Gashi.

Në Ministrinë e Bujqësisë po punohet për evidentimin e dëmeve që janë shkaktuar nga erërat e forta si dhe konfirmohet se së shpejti do të themelohet Fondi për Kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore.

Këtë e ka konfirmuar për KosovaPress, Shkëlzen Dragaj, këshilltar për media i ministrit Memli Krasniqi.

“ Departamentet tona përkatëse janë duke punuar në procedurat dhe kriteret që do të parashihen për kompensimin e dëmeve që shkaktohen nga fatkeqësitë natyrore.Natyrisht do të mbetet të shihet se çka do të parasheh kjo masë, e cila do të jetë e hapur për aplikim gjatë tërë vitit pavarësisht se kur do të ketë dëme nga fatkeqësitë e ndryshme. Planifikimi jonë është që për këtë vit të ndajmë për këtë fond 500 mijë euro”, tha Dragaj.

Krahas Fondit për kompensimin e dëmeve Dragaj konfirmoi se Ministria e Bujqësisë po punon edhe në planin për krijimin e sigurimeve bujqësore.

Sipas tij Ministria e Bujqësisë është duke punuar qe një vit së bashku me kompanitë e sigurimeve për ta funksionalizuar këtë projekt. Ai tha se për të arritur këtë nuk varet vetëm nga ministria por edhe nga vullneti i kompanive të sigurimeve të përfshihen në këtë projekt.

Sipas Dragajt kjo ministri do të negociojë që gjatë këtij viti kjo të jetë një zgjidhje afatgjatë dhe të përfshihet të gjithë fermerët që dëshirojnë të jenë pjesë e këtyre sigurimeve. /kp