Ministri Skender Hyseni vizitoi emigrantët kosovarë në Hungari
Ministri i Punëve të Brendshme, i shoqëruar nga një delegacion i MPB-së, ka zhvilluar vizitë një ditore në Hungari, ku është tajuar edhe me azil kërkues kosovarë, të cilëve u ka premtuar se gjatë mandatit të kësaj qeverie do të ketë zhvillim dhe më shumë vende të punës.
Lajme
Fillimisht delegacioni nga Kosova është pritur nga homologu i Hysenit atje, Sandor Pinter, e pastaj ka vizituar qendrën e hapur të pranimit të migrantëve ilegalë në Bicske, si dhe Qendrën Ndërkombëtare të Trajnimit të Byrosë Federale të Hetimit.
Në takimin me homologun e tij, Hyseni ka shprehur falënderimin e tij për përkrahjen e vazhdueshme që Hungaria i ka dhënë Kosovës në të gjitha rrafshet dhe sidomos për bashkëpunimin e ngushtë midis dy shteteve për tu përballuar me problematikën e migrimit ilegal të qytetarëve kosovarë, që është kusht themelor i BE-së për heqje të regjimit të vizave për Kosovën, raporton Koha.net.
Pinter shprehu mirënjohjen e tij për marrëdhëniet e afërta midis dy shteteve, duke theksuar gatishmërinë e tij dhe të shtetit hungarez për të bashkëpunuar edhe më tutje në ballafaqimin me migrimin ilegal, por edhe çështje tjera me interes të veçantë sikurse është terrorizmi global dhe ekstremizmi i dhunshëm.
Ministrat u pajtuan që zgjidhja më e mirë afatgjate është liberalizimi i vizave për Kosovën që mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk ka marrë dritën e gjelbër për të lëvizur lirshëm në zonën e Schengenit.
Hyseni kërkoi nga homologu i tij përkrahjen edhe sa i përket anëtarësimit të Kosovës në Interpol dhe Europol, si dy mekanizma të rëndësishëm ndërkombëtar të bashkëpunimit policor.
Ministri hungarez shprehu mbështetjen e fuqishme të Hungarisë që Kosova të anëtarësohet në këta mekanizma sa më shpejt sepse kjo i kontribuon paqes dhe sigurisë në vend dhe rajon.
Gjatë ditës, Ministri Hyseni ka vizituar edhe qendrën më të vjetër të pranimit në Bicske, ku janë të strehuar qindra azilkërkues, përfshi edhe ata kosovarë. Me këtë rast, Hyseni është njoftuar për së afërmi me kushtet që u ofrohen azilkërkuesve nga Kosova të cilët shfrytëzojnë Hungarinë kryesisht si vend transit për të kaluar pastaj në vendet tjera të BE-së.
“Është me rëndësi të theksohet se, duke qenë se aspekti i sigurisë nuk është më problematik për Kosovën për të cilën arsye edhe numri më i madh i kërkesave për azil u refuzohen qytetarëve të saj, qytetarët kosovarë të mos marrin këtë rrugë të migrimit”, thuhet në një njoftim për media të MPB-së.
Ministri shprehu përkushtimin e Qeverisë së Kosovës që sa i përket gjendjes ekonomike, që merret si një prej shkaktarëve kryesorë të migrimit, do të bëjë çmos që të përmirësojë këtë gjendje gjatë mandatit të saj.