Ministri Rashiq thotë se me serbët askush nuk ka biseduar për FAK-un
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq ka thënë të martën në Janjevë se deri tash me përfaqësuesit serbë në Kosovë ende askush nuk ka biseduar në lidhje me themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, kurse vota për vendet e rezervuara për pakicat do të mund të hapte mundësinë edhe për votim të FAK-ut.

Lajme
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Social në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq ka thënë të martën në Janjevë se deri tash me përfaqësuesit serbë në Kosovë ende askush nuk ka biseduar në lidhje me themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.
Në pyetjen e korrespodentit të agjencisë Beta se cili është qëndrimi i politikanëve serbë në Kosovë për formimin e forcave të armatosura, Rashiq ka deklaruar se serbët që në muajin maj të vitit 2013 iu kanë paraqitur kërkesën institucioneve të Kosovës për të miratuar vendet e rezervuara (për komunitetet jo shumicë) në Kuvendin e Kosovës, por ende nuk kanë marrë kurrfarë përgjigje ndaj kësaj kërkese.
Rashiq ka thënë se në qoftë se do të zhvillohen biseda lidhur me çështjen e vendeve të rezervuara dhe në qoftë se nuk arrihet ndonjë kompromis, ai mendon që serbët në Kuvendin e Kosovës nuk do të mund të votojnë për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.
\”Serbët kërkojnë edhe dy mandate (në Parlament) të vendeve të rezervuara në Parlamentin e Kosovës dhe nëse kjo arrihet, përkatësisht nëse nxirret një vendim politik i harmonizuar ndërmjet partnerëve politikë, në atë rast serbët mund të mendojnë për metoda dhe mënyra se si eventualisht do të mund të shkonin një hap para\”, ka thënë ai.
Rashiq ka vlerësuar që nëse nuk do të ketë përparime lidhur me çështjen e vendeve të rezervuara, atëherë bie poshtë edhe mundësia për çfarëdo harmonizimi të interesave politike.