Ministri Liburn Aliu e shkel ligjin në emër të interesit publik

Hysen Durmishi, zëvendësministër në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës – MMPHI në një konferencë për media ka njoftuar dje se është anuluar procedura e prokurimit për projektin “Mirëmbajtja verore dhe dimërore e rrugëve nacionale dhe rajonale të Kosovës për vitet 2021-2024”.

Lajme

16/04/2021 19:53

Këtë e konfirmoi më pas edhe ministri i MMPHI, Liburn Aliu. “Kemi marrë dy vendime të rëndësishme të cilat u prezantuan sot nga zëvendës ministri z. Durimishi: Anuluam tenderin 44 milionësh për mirëmbajtjen e rrugëve. Anuluam privatizimin e shërbimit të Patentë Shoferëve. Të dyja këto vendime janë marrë duke pasur parasysh interesin publik dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve”, ka shkruar Aliu.

Megjithëkëtë, ky vendim i marrë nga krerët e ministrisë është i kundërligjshëm, shkruan lajmi.net.

Për këtë aktivitet të prokurimit është proceduar mbi bazën e Ligjit të Prokurimit Publik nr 04/L -042. Sipas këtij ligji, mbi dispozitat e të cilit realizohen procedurat tenderuese, ministri Liburn Aliu ka bërë shkelje kur ka dhënë urdhër që të anulohet krejt procesi. Kjo ngase, paraprakisht ka pasur një ankesë aktive në Organin Shqyrtues të Prokurimit -OSHP që ka të bëjë me këtë procedurë, e cila nuk ishte shqyrtuar nga Bordi i OSHP-së. Kjo e obligonte ministrinë që të mos ndërmarrë asnjë hap për këtë aktivitet të prokurimit, derisa bordi të nxjerrë një vendim mbi ankesën e pranuar.

Katër ditë para se të marrë detyrën ministri Aliu, më datë 19.03.2021, kompania, “Jos&Krasniqi” -Bazë” Shpk kishte parashtruar ankesë në OSHP, nën pretendimin se ministria kishte vendosur kritere diskriminuese në dosjen e tenderit. Pas kësaj, menjëherë në OSHP ishte ankuar edhe Ministria e Infrastrukturës që udhëhiqej ato ditë nga Arban Abrashi, duke kërkuar që t’i hiqet obligimi i pezullimit automatik, lidhur më këtë aktivitet të prokurimit në mënyrë që të vazhdohej me procedurat e tenderimit, pasi ishte interesi publik që të vazhdohet me procedurat që rrugët të mos mbesin pa mirëmbajtje. Por, Bordi i OSHP-së më 25 mars 2021 ia hodhi poshtë këtë kërkesë ministrisë dhe e la në fuqi vendimin e vet, që të shqyrtojë pretendimet ankimore të kompanisë ankuese. Bordi e mori këtë vendim 5 ditë para se t’i skadojë mandati. Ky vendim e obligonte ministrinë vetëm të bënte pezullimin e aktivitetit të prokurimit derisa të shqyrtohej ankesa.

Organi Shqyrtues i Prokurimit ka konfirmuar se ka një ankesë aktive të pashqyrtuar në këtë institucion që ka të bëjë me lëndën “Mirëmbajtja verore dhe dimërore e rrugëve nacionale dhe rajonale të Kosovës për vitin 2021 -2024”.

“Ju njoftojmë se OSHP ka pranuar ankesë lidhur me aktivitetin e prokurimit në fjalë dhe e njëjta ankesë  është proceduar për shqyrtim tek eksperti shqyrtues. Në  mungese te Bordit te OSHP-se ende nuk është marr vendimi lidhur me ankesën e proceduar ne OSHP”, thuhet në përgjigjen e OSHP-së për lajmi.net.

Megjithëkëtë, duke u thirrur në interesin publik, drejtuesit e rinj të ministrisë shkelen mbi Ligjin e Prokurimit Publik duke e anuluar krejt aktivitetin e prokurimit, para se të bëhet shqyrtimi i ankesës nga OSHP. Kujtojmë se në mungesë të Bordit, në këtë institucion janë bllokuar dhjetëra aktivitete të prokurimit, pasi ankesat nuk ka kush t’i shqyrtojë. Madje, edhe dy pjesë të tenderit të kësaj ministrie:“ “Sinjalizim dhe mirëmbajtja në rrugët nacionale dhe rajonale të Kosovës lot 2 dhe 3”.

Lajmi.net ka kërkuar nga ministria një përgjigje lidhur më atë se pse e ka shkelur ligjin në këtë rast, pasi procedura ka qenë e stopuar nga OSHP-ja, por kjo ministri nuk është përgjigjur.

Zëvendësministri i MMPHI-së, Hysen Durmishi në konferencën për media e ka arsyetuar anulimin e aktivitetit të prokurimit.

“Vlera e parashikuar e këtij projekti është 44 milion euro. Janë dy arsye pse ne e kemi anuluar këtë procedurë në këtë fazë. E para ka të bëjë me atë se ky projekt parashihet që të jetë kontratë kornizë tri vjeçare dhe nuk mund t’a ndryshojmë më pasi të lidhen kontratat. Ne jemi të interesuar që të bëjmë ndryshime edhe në pozicione të paramasës e po ashtu edhe në kriteret teknike. Në vitet e fundit kemi një zhvillim të hovshëm të teknologjisë së ndërtimit të rrugëve prandaj ky zhvillim duhet të jetë present edhe në rrugët tona. Kjo është arsyeja e parë që ne do të intervenojmë në pozicionet e paramasës në mënyrë që edhe mirëmbajtja të jetë shumë më cilësore në vitet në vazhdim ashtu siç do të jetë shumë më cilësor secili investim në të ardhmen. Pra ne jemi të interesuar që rrugët tona të jenë më të sigurta duke përdorur teknologjinë më të avansuar për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e tyre”, ka thënë Durmishi.

“Arsyeja e dytë ka të bëjë me kriteret teknike të cilat duhet ti ndryshojmë në mënyrë që të ketë gjithëpërfshirje dhe konkurencë më të madhe në mes kompanive. Kriteret do të jenë të tilla që të kenë mundësi më shumë kompani të marrin punë dhe jo siç ka ndodhur në të kaluarën kur paraprakisht është ditur se cilat kompani do të fitojnë. Tani kjo praktikë shumë e keqe që është vendosur nga qeveritë e kaluara dhe ministrat e kësaj ministrie do të ndryshoj përfundimisht!”, ka shtuar tutje ai.

Me datë 11 shkurt 2021, ministria kishte bërë njoftim për kontratë për këtë aktivitet të prokurimit. Pas publikimit të njoftimit, ministria ka marrë shumë kërkesa për sqarim në lidhje me dosjen e tenderit dhe kriteret e dosjes, të cilave ministria u ka dhënë përgjigje. Dosja e tenderit është tërhequr nga 194 kompani, prej të cilëve vetëm dy kompani kanë bërë kërkesë për rishqyrtim duke konsideruar se ka pasur kritere diskriminuese. Këto ankesa, ministria i ka aprovuar si pjesërisht të bazuar, ku ka bërë tri herë disa përmirësime tek kriteret e vendosura. Por, kompania “Jos&Krasniqi” -Bazë” Shpk nuk është pajtuar me përmirësimet e ministrisë dhe ka parashtruar ankesë në OSHP. Kjo kompani ka fituar disa kontrata nga ministria kur ishte ministër Pal Lekaj, dhe ka qenë e favorizuar në disa raste.

Menjëherë  në OSHP është ankuar edhe ministria. I ka kërkuar këtij institucioni që ta lejojë të vazhdojë me procedurat. Por, OSHP-ja ja ka refuzuar kërkesën me arsyen që: “Kërkesa e ministrisë për heqjen e pezullimit automatik për këtë aktivitet të prokurimit nuk përmban  arsyeje bindëse siç parashihet në nenin 112 të LPP-së. Kryetari i OSHP-së, refuzon kërkesën e Autoritetit Kontraktues të datës 22.03.2021, si të pa abuzuar konfom nenit 112,22, të LPP, për faktin se autoriteti kontraktues është i thirrur të planifikojë dhe menaxhojë mirë projektin dhe t’i ketë parasysh afatet dhe fazat e animimit. Autoriteti kontraktues është dashur të fillojë procedurat e tenderimit më herët apo para se të skadojnë kontratat. Pra, autoriteti kontraktues me (apo pa) qëllim ka rënë në vonesa për fillimin e kësaj procedure dhe tani kërkon heqjen e pezullimit. Andaj, konsiderojmë se AK nuk na ka bindur se janë përpjekur që brenda afateve ligjore t’i planifikojë dhe t’i zhvillojnë procedurat e prokurimit, gjithashtu AK nuk ka arritur të dëshmojë se inversi publik për heqjen e pezullimit automatik është më i madh se respektimi i afateve kohore për shqyrtim të ankesës. Prandaj, OSHP-ja do të vazhdojë me procedurat e mëtutjeshme në shqyrtimin e ankesës së operatorit ekonomik i cili ka parashtruar ankesë në pajtim me dispozitat ligjore të LPP-së”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

Lajmi.net kishte raportuar se ky tender. Bazuar në kontratën paraprake e cila skadon këtë vit, çmimi i vendosur nga ministria në këtë tender është shumë më i madh se ai i ofertës së vitit 2018. Po ashtu, shihet që është rritur edhe gjatësia e rrugës që duhet të mirëmbahet./Mentor Buzhala -Lajmi.net/