Ministri Krasniqi reagon pasi nxënësit e pakicave u ndanë nga shokët në Festën e Abetares

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka reaguar pas raportimit se nxënësit e komuniteteve janë lënë anash në festën e Abetares në Karagaç të Komunës së Pejës.

Lajme

18/05/2022 00:03

Përmes një postimi në Facebook, minsitri ka thënë se ndihet i shqetësuar për rastin.

Ai tha se ka kontaktuar me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, ku është njoftuar se rasti është duke u trajtuar.

“Ndihem i shqetësuar shumë për rastin e sotëm ku nxënësit e komuniteteve janë lënë anash në festën e Abetares, në një organizim në Pejë. Si ministër, si qytetar i këtij komuniteti dhe si qytetar i Republikës së Kosovës, përveçse e dënoj ashpër këtë gjest, ftoj institucionet që të thirren në përgjegjësi personat kompetent, të cilët e kanë bërë këtë gjest të rëndë”, ka shkruar Krasniqi.

Ai ka bërë të ditur se është njoftuar nga ministrja Nagavci se janë duke e trajtuar rastin në mënyrë që të kuptohet e vërteta. /Lajmi.net/