Ministri i Malit të Zi kritikon komunën e Zetës për deklaratën kundër Kosovës: Dëmton rrugën evropiane të vendit

Ministri i Administratës Publike në Mali i Zi, Marash Dukaj, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së miratuar nga Kuvendi Komunal i Zetës për “shfuqizimin” simbolik të njohjes së Kosova, duke e cilësuar këtë veprim si të dëmshëm për perspektivën evropiane të shtetit malazez. Përmes një reagimi në platformën X, Dukaj tha se iniciativa e autoriteteve…

Lajme

13/05/2026 15:35

Ministri i Administratës Publike në Mali i Zi, Marash Dukaj, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së miratuar nga Kuvendi Komunal i Zetës për “shfuqizimin” simbolik të njohjes së Kosova, duke e cilësuar këtë veprim si të dëmshëm për perspektivën evropiane të shtetit malazez.

Përmes një reagimi në platformën X, Dukaj tha se iniciativa e autoriteteve lokale në Zetë nuk ka asnjë fuqi juridike apo kushtetuese, pasi politika e jashtme është kompetencë ekskluzive e shtetit.

Ai vlerësoi se deklarata përbën ndërhyrje të pushtetit lokal në kompetenca që nuk i takojnë, ndërsa paralajmëroi se veprime të tilla mund të cenojnë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe orientimin evropian të Malit të Zi.

“Shteti duhet të fokusohet në forcimin e institucioneve dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve, jo në iniciativa politike që krijojnë përçarje dhe dëmtojnë orientimin evropian të vendit”, ka deklaruar Dukaj.

Sipas tij, nisma të tilla përfaqësojnë “hap prapa” në procesin e ndërtimit të së ardhmes evropiane të Malit të Zi dhe mund të ndikojnë negativisht në stabilitetin institucional të vendit.

Reagimi i ministrit malazez erdhi pasi Kuvendi Komunal i Zetës miratoi një deklaratë simbolike që kërkon anulimin e njohjes së Kosovës, ndonëse vendimet për politikën e jashtme mbeten nën juridiksionin e qeverisë qendrore në Podgoricë.

Mali i Zi e ka njohur zyrtarisht Kosovën më 9 tetor 2008, disa muaj pas shpalljes së pavarësisë së saj më 17 shkurt 2008. /Lajmi.net/