Ministri i Brendshëm në Gjykatë, kishte shkaktuar aksident me tre të lënduar

Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Ekrem Mustafa, është deklaruar i pafajshëm për veprën penale të rrezikimit të trafikut publik, lidhur me aksidentin që kishte ndodhur në prill të vitit 2014, në Ferizaj.

Lajme

14/08/2019 14:11

Prokuroria Themelore në Ferizaj, e akuzon ministrin Mustafa, se kishte qenë shkaktar i këtij aksidenti, nga i cili ishin lënduar tre persona, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën fillestare të mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ai ka mohuar fajësinë lidhur me aksidentin për të cilin akuzohet.

“Deklarohem i pafajshëm lidhur me veprën penale për të cilën po akuzohem, dhe atë duke u bazuar në ekspertizën e ekspertit të komunikacionit, të dhënë në fillim të kësaj çështje penale, pasi që unë në këtë rast kam qenë i dëmtuar, andaj për akuzën për të cilën akuzohem si i pandehurit, nuk e pranoj fajësinë”, ka deklaruar Mustafa.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Mustafa, avokati Visar Vehapi, ka deklaruar se në tërësi e mbështetë deklarimin e të mbrojturit të tij, për mospranimin e fajësisë në këtë fazë të procedurës.

“Sot para seancës më është dorëzuar një kopje e aktakuzës, ku prokuroria ka propozuar që të dëgjohet një numër i caktuar i dëshmitarëve, e që konsideroj se shumicën e këtyre dëshmitarëve i kemi prezent në seancën gjyqësore. Prokuroria i ka dorëzuar provat materiale që përmenden në aktakuzë, por nuk jemi në dijeni se a i ka dëgjuar prokuroria këta dëshmitar, apo policia eventualisht me autorizim të  prokurorisë, dhe nëse i ka dëgjuar, konsiderojmë se duhet të na dorëzohen edhe deklaratat e këtyre dëshmitarëve, në mënyrë që të përmbushen detyrimet ligjore të prokurorisë, dhe me qëllim që t’i ushtrojmë në mënyrë efikase kundërshtimin e provave, dhe kërkesën për hudhjen e aktakuzës”, deklaroi Vehapi.

Pas kësaj, gjykatësi i rastit, Adem Shabani, e ka njoftuar të akuzuarin Mustafa si dhe mbrojtësin e tij, që në afat prej 30 ditësh, mund të paraqesin kundërshtimin e provave të cekura në aktakuzë, apo të paraqesin kërkesë për hudhjen e aktakuzës, provave dhe fakteve të tjera.

Ndryshe, për këtë vepër penale, në fillim kishte qenë i akuzuar Nazmi Trena, e ku, tani i akuzuari Mustafa, kishte qenë në cilësinë e të dëmtuarit.

Me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj, ishte refuzuar aktakuza ndaj të akuzuarit Trena, për shkak të heqjes dorë të Prokurorit të Shtetit nga aktakuza.

Kundër këtij aktgjykimi, i dëmtuari Mustafa kishte ushtruar ankesë, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së ligjit penal dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, duke i propozuar gjykatës që të anulojë aktgjykimin e ankimuar, dhe çështjen t’ia kthejë gjykatës së shkallës së parë në rigjykim dhe vendim.

Pas ngritjes së aktakuzës ndaj të akuzuarit Ekrem Mustafa, seanca fillestare ndaj tij ishte mbajtur më 6 qershor 2017, por i njëjti kishte kërkuar që kjo seancë të shtyhet, deri sa Gjykata e Apelit të vendosë lidhur me ankesën që kishte ushtruar për këtë çështje penale, më 10 mars 2017.

Në vendimin e Gjykatës së Apelit, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, ankesa e të dëmtuarit Ekrem Mustafa, ishte hedhur si e palejuar.

Sipas aktakuzës së ngritur më 21 mars 2017, nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, Ekrem Mustafa, akuzohet se më 23 prill 2014, rreth orës 16:20, në magjistralen Ferizaj – Prishtinë, në fshatin Prelez, duke drejtuar automjetin “Toyota Land Cruiser”, nga pakujdesia kishte rrezikuar trafikun publik dhe jetën e njerëzve, në atë mënyrë që duke vepruar në kundërshtim me rregullat e komunikacionit, kishte ndërmarrë veprimin e shkyçjes nga rruga magjistrale për në parking në anën e kundërt, pa u bindur se nuk do t’i rrezikonte ose pengonte pjesëmarrësit e tjerë në trafik.

Siç thuhet në aktakuzë, në vendin e ngjarjes kishte qenë duke tejkaluar një automjet i ndihmës së parë, dhe pas goditjes së këtij, nga inercioni kishte humbur kontrollin, me ç’rast kishte dal jashtë rrugës dhe ishte përplasur me automjetin e markës “Peugeot” dhe me automjetin e markës “Mercedes ML 320”, të cilat vetura kishin qenë të parkuara në parkingun e kompanisë “Kompakt”, ku përveç dëmeve materiale në katër automjetet, lëndime të rënda trupore kishin pësuar të dëmtuarit Mufail Shumolli dhe Vjollca Ahmeti, ndërsa lëndime të lehta trupore, kishte pësuar e dëmtuara, Mirjeta Salihu.

Për këtë, i pandehuri Ekrem Mustafa, po akuzohet për kryerjen e veprës penale “rrezikim i trafikut publik”, nga neni 378. Paragrafi 8.