Mijëra veta rrezikojnë të mbesin pa punë

Pasojat e vendimit të Qeverisë së Shqipërisë për mbylljen e universiteteve private të cilat nuk janë të akredituara, do të ndihen edhe në Kosovë.

Lajme

07/08/2014 11:08

Mijëra persona nga Kosova që kanë diplomuar në këto universitete ka rrezik të mbesin pa punë, meqë MASHT-i nuk i konsideron si kuadër profesional, shkruan sot Koha Ditore.

Zëvendësministri i Arsimit, Nehat Mustafa ka thënë për gazetën se Ministria nuk ndjen përgjegjësi për këta persona.

“Fakti se qytetarët e Kosovës kanë ndjekur studimet në universitetet private të Shqipërisë edhe përkundër deklaratave tonë se diplomat e tyre nuk njihen, flet se MASHT-i nuk ndien asnjë përgjegjësi ndaj këtyre qytetarëve”, ka thënë ai.

Shumë kuadro, kryesisht të fushës së mjekësisë, punojnë në Kosovë me diploma të institucioneve private të arsimit të lartë në Shqipëri, e që nga e mërkura janë mbyllur me vendimin e Qeverisë në Tiranë. Ata ka shumë shanse të humbin vendet e punës, meqë këto kualifikime nuk do të njihen nga institucionet e Kosovës.

Këtë gjë e kanë thënë të mërkurën për gazetën përfaqësues të një grupi të ish-studentëve kosovarë që kanë studiuar në Shqipëri, të cilët prej kohësh kanë kërkuar nostrifikimin e atyre diplomave nga MASHT-i.

Ata kanë kërkuar nga MASHT-i që t’i verifikojë dhe t’i publikojë emrat e atyre që morën diploma nëpërmjet rrugëve ilegale dhe të mos i fusin në një thes të gjithë ata që kanë diplomuar në Shqipëri.