Miftaraj i ashpër me Gërvallën dhe Sveçlën: Derdhën lot krokodili në konferencë, aktruan para dy milionë shtetasve të Kosovës
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar ashpër ndaj ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pas konferencës së sotme për media në Qeveri, ku u diskutua raporti lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt. Përmes një postimi në Facebook, Miftaraj i ka akuzuar…
Lajme
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar ashpër ndaj ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pas konferencës së sotme për media në Qeveri, ku u diskutua raporti lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Përmes një postimi në Facebook, Miftaraj i ka akuzuar dy ministrat për shmangie të përgjegjësisë institucionale dhe për përpjekje për t’ua bartur fajin institucioneve të tjera, ndonëse, sipas tij, ato drejtohen pikërisht nga pushteti aktual, transmeton lajmi.net.
Ai tha se Gërvalla dhe Sveçla mund të akuzojnë të tjerët dhe të kërkojnë llogaridhënie nga institucionet, por nuk mund t’i shmangen përgjegjësisë së tyre.
“Ministrja Donika Gërvalla dhe ministri Xhelal Sveçla munden me derdh lot krokodili, me aktru para dy milionë shtetasve të Kosovës, t’i akuzojnë dhe mallkojnë të tjerët për të mbuluar dështimet e veta dhe të përpiqen t’i shmangen përgjegjësisë institucionale. Munden me keqpërdor objektin e Qeverisë dhe në konferencë për media të sillen sikur kanë harruar se shteti dhe institucionet që kanë për detyrë të mbrojnë jetën e qytetarëve drejtohen pikërisht prej tyre. Munden me kërku përgjegjësi nga të gjithë, përveç vetes”, ka shkruar Miftaraj.
Ai ka theksuar se përgjegjësia institucionale dhe morale nuk mund të shmanget përmes arsyetimeve politike, duke përmendur edhe mungesën e empatisë ndaj familjeve që kanë humbur më të dashurit e tyre.
“Por ka diçka prej së cilës nuk mund të ikin: nga përgjegjësia institucionale, përgjegjësia morale, nga mungesa e empatisë dhe nga turpi që do t’i përcjellë sa herë të kujtohen jetët e grave që shteti që ata e udhëheqin vret gratë. Sepse pushteti nuk është vetëm privilegj. Është përgjegjësi. Dhe kur je në krye të shtetit, nuk mund të sillesh njëkohësisht si pushtet dhe si opozitë ndaj dështimeve të institucioneve që drejton”, ka deklaruar ai.
Në fund, Miftaraj ka kërkuar nga dy ministrat që të tregojnë dinjitet, empati dhe përgjegjësi ndaj familjeve të viktimave, duke e bërë të qartë se, sipas tij, dorëheqja është e domosdoshme në raste të tilla.
“Të paktën para dhimbjes së familjeve që kanë humbur më të dashurat e tyre, tregoni pak dinjitet, empati dhe përgjegjësi dhe dorëheqja në këto raste nuk ka alternativë”, ka potencuar Miftaraj./lajmi.net/